Edhe një javë kohë, Kushtetuesja sqaron afatin për presidentin: Deputetët ta shfrytëzojnë në mënyrë racionale kohën

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë për rastet KO256/26 dhe KO258/26, të cilat kanë të bëjnë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve, konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar edhe afatin për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

Në arsyetimin e saj, Gjykata i është referuar dispozitave të neneve 82 dhe 86 të Kushtetutës, si dhe praktikës së saj të mëhershme, duke shpjeguar mënyrën se si llogaritet afati për zgjedhjen e presidentit në rrethanat kur një legjislaturë e re ende nuk është konstituuar.

Sipas Kushtetueses, afati për konstituimin e Kuvendit kishte përfunduar më 7 gusht 2026. Meqë kalimi i këtij afati ka pasoja në rrjedhjen e afateve të tjera kushtetuese, Gjykata ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur një ditë më pas, më 8 gusht.

“Si rezultat i konstatimit si më sipër që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e
Presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026, Gjykata konstaton se ky
afat përfundon më 6 tetor 2026. Prandaj, duke marrë për bazë domosdoshmërinë e
funksionimit të institucioneve kushtetuese, përkatësisht vazhdimin e funksionimit të
institucionit të Presidentit, me mandat dhe pushtet të plotë kushtetues, Gjykata konsideron
që Kuvendi deri më 6 tetor 2026 duhet zhvilluar dhe përfunduar procedura për zgjedhjen
e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.

Kushtetuesja sqaron se procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda 60 ditësh nga fillimi i saj.

Në këtë rast, Gjykata ka vlerësuar se, meqë procesi i konstituimit të Kuvendit duhej të ishte përfunduar më së largu më 7 gusht, 60-ditëshi për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht.

Kushtetuesja: Zgjedhja e presidentit është obligim themelor

Në aktgjykim, Gjykata i kushton rëndësi të veçantë funksionit të presidentit, duke theksuar se zgjedhja e tij ka peshë të veçantë për rendin kushtetues dhe për jetën politike, institucionale e shtetërore të Kosovës.

Sipas Kushtetueses, presidenti mishëron unitetin e popullit, përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë vendit dhe garanton funksionimin demokratik të institucioneve.

Për këtë arsye, Gjykata vlerëson se deputetët duhet ta shfrytëzojnë në mënyrë racionale kohën që Kushtetuta ua ka vënë në dispozicion për përmbushjen e një prej obligimeve të tyre themelore kushtetuese – zgjedhjen e presidentit.

“Gjykata sërish rithekson rëndësinë e asaj se deputetët brenda këtij afati të përcaktuar nga
Gjykata duhet të shfrytëzojnë në mënyrë racionale kohën të cilën Kushtetuta u ka vënë në
dispozicion për të përmbushur një nga obligimet themelore kushtetuese, atë të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. Gjykata tashmë ka vlerësuar se kjo e drejtë e deputetëve buron nga Kushtetuta dhe është në përputhje me funksionin dhe vullnetin e
popullit për t’i besuar deputetit zgjedhjen e Presidentit të shtetit (shih, rastet e Gjykatës
KO72/26 dhe KO74/26, cituar më lart, paragrafi 178)”.

Çfarë ndodh nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor?

Në pjesën përfundimtare të këtij arsyetimi, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar edhe pasojën kushtetuese nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afatit.

Sipas saj, nëse deri më 6 tetor 2026 nuk zgjidhet presidenti i ri, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, në bazë të nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës.

Pas shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda 45 ditësh nga dita e shpërndarjes, ashtu siç përcaktohet me Kushtetutë.

“Në fund, Gjykata rithekson që në rast se pas hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, përmes të
cilit përcaktohet që Kuvendi deri më 6 tetor 2026 duhet të vazhdojë dhe të përfundojë
zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin/en e ri/re, Kuvendi,
bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës shpërndahet ex
constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen
brenda dyzet e pesë (45) ditësh, pas ditës së shpërndarjes së Kuvendit, ashtu siç
52përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafit 6 të nenit
86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës”.

Të fundit nga rubrika