Ish-i burgosuri politik dhe veprimtari Bajrush Xhemajli ka rrëfyer për fillimet e veprimtarisë së tij të fshehtë kundër regjimit jugosllav, në kuadër të ciklit të emisioneve “Dosjet” në Debat Plus.
Xhemajli ka thënë se në moshën 17-vjeçare ishte përfshirë në rrethin e veprimtarëve të rinj, pasi kishte vërejtur se vëllai i tij Mustafa dhe shoku i tij Rrahim Sadiku po merreshin me materiale të fshehta.
“Unë aktivitetin tim të fshehtë e kam filluar qysh në bankat e shkollës së mesme, ma drejt, ma preciz është në vitin 1973”, ka rrëfyer Xhemajli.
Ai ka treguar se në duart e tyre kishin literaturë të ndaluar nga regjimi i atëhershëm, përfshirë veprën “Gjarpërinjtë e gjakut” të Adem Demaçit dhe “Lahutën e Malësisë” të Gjergj Fishtës.
Xhemajli ka thënë se më pas nisi ta shpërndante këtë literaturë te shokët e tij, duke përmendur edhe materiale dhe revista të tjera që i siguronte nga persona të ndryshëm.
“Prej këtu kam hasur në literaturë që ka qenë e ndaluar në atë kohë nga regjimi”, ka deklaruar ai.
Sipas rrëfimit të tij, në këtë periudhë ai komunikonte dhe bashkëpunonte me një grup të rinjsh, ndërsa veprimtaria u zgjerua gradualisht.
Xhemajli ka veçuar rolin e vëllait të tij Mustafa dhe të Rrahim Sadikut në fillimet e angazhimit të tij. Ai ka treguar se për një periudhë kishin komunikuar dhe vepruar në këtë formë, ndërsa më pas ai vazhdoi aktivitetin e tij me rrethin e të rinjve.
Një tjetër moment i rëndësishëm, sipas tij, ishte viti 1976, kur një grup nxënësish maturantë formuan një organizatë të rinisë. Në mesin e tyre, Xhemajli përmend Xhabir Zharkun, Emrushin, Enver Graincën dhe të tjerë.
Sipas tij, fillimisht organizata ishte drejtuar nga Xhabir Zharku, ndërsa në vitin 1979 udhëheqjen e mori Imer Grainca.
Xhemajli ka treguar se më pas grupi hartoi edhe një program, ndërsa organizata mori emrin “Lëvizja për Çlirim Nacional dhe Social të Kosovës”.
Ai ka rrëfyer se në atë kohë ishte student në Mitrovicë dhe kishte marrë një detyrë brenda strukturës së organizimit, por nuk arriti të merrte pjesë në mbledhjen e radhës, pasi ishte paralajmëruar se ishte kuptuar nga organet e atëhershme.
“Unë nuk kam arrit asnjëherë me shku në mbledhje dhe tash u arrestuan ata”, ka thënë Xhemajli.
Ai ka vlerësuar se grupi kishte pasur një aktivitet të gjerë gjatë viteve 1976–1979 dhe se në të ishin përfshirë shumë të rinj nga zona të ndryshme të Kosovës.
Në rrëfimin e tij, Xhemajli ka përmendur edhe veprimtarë të tjerë të rinj nga Suhareka, Lipjani dhe vise të tjera, duke theksuar se aktiviteti i të rinjve ishte zgjeruar në këtë periudhë.
Ai ka përmendur ndër të tjerë Fadil Vatën, Besim Baraliun, Besa Baraliun, Sadik Halitjahan, Shemsie Elshanin dhe Ramë Bujën, ndërsa ka folur edhe për takimin me Ibrahimin e Suharekës dhe më vonë me Ibrahim Kelmendin.