Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë në Kuvendin e Kosovës se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk cenon detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë në lidhje me themelimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Gjatë prezantimit të Projektligjit në seancën e Kuvendit, Gruda ka theksuar se ndryshimet e propozuara nuk prekin amendamentin kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe as marrëveshjet ndërkombëtare të lidhura me këtë proces.
“Ky ligj nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë përmes amendamentit kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara, marrëveshjes që kemi me Bashkimin Evropian, letërkëmbimit të ratifikuar në Kuvend dhe as marrëveshjes që kemi me Holandën”, ka deklaruar Gruda.
Gruda ka theksuar se ndryshimet e propozuara nuk ia heqin Speciales të drejtën për të vazhduar punën, por synojnë t’ia kufizojnë një pjesë të juridiksionit, përfshirë atë që lidhet me krimet e luftës.
Gruda ka thënë se ndryshimet nuk nënkuptojnë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe se, sipas tij, nuk prekin marrëveshjen e ratifikuar me BE-në.
“Ne jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare. Ne e kemi përmbushur çdo premtim që kemi dhënë për të hetuar raportin e Dick Martyt, nuk po e ndryshojmë Kushtetutën, nuk po e prishim marrëveshjen me BE-në”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë gjithashtu se Projektligji parasheh mundësinë që, në rast se do të ketë një shkallë të tretë të gjykimit, ajo të zhvillohet në Kosovë.
Gruda, ka deklaruar se akuzat që, sipas tij, synojnë ta paraqesin UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale janë “re e zezë mbi Kosovën”.
“Nuk mund të lejojmë të komprometohet historia e Kosovës dhe lufta jonë çlirimtare”, ka theksuar ai.