Haradinaj: Kurti i dha goditje të rëndë UÇK-së duke e lënë në gjysmë Ligjin për Specialen

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka dështuar ta çojë deri në fund miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se një gjë e tillë i ka shkaktuar, sipas tij, “goditje të rëndë” UÇK-së dhe Kosovës.

Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se kanë mbetur më pak se shtatë orë për votimin e ligjit dhe u ka bërë thirrje deputetëve që të bashkohen për ta miratuar atë.

“Kanë mbetë edhe më pak se 7 orë kohë për ta votuar ligjin, ky ligj nuk është i një partie politike por i 91 deputetëve. Është shumë e pahijshme që të lihet në gjysmë ky ligj. Është koha që të bashkohemi e të mos turpërohemi para historisë, kështu do të duhej të ishte, për këtë jemi zgjedhur”, tha Haradinaj.

Ai ka akuzuar Kurtin se e ka lidhur fatin e ligjit me zhvillimet politike dhe se po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Sot ranë maskat, Kurti e ktheu edhe ligjin edhe vendin. Kurti i dha një goditje të rëndë edhe UÇK-së, Kurti po e dërgon vendin në zgjedhje. Kjo është hera e 4 që po e dërgon vendin në zgjedhje i njëjti person, i njëjti vendimmarrës. Kjo shpjegohet kështu, ky do me ia dhënë edhe një goditje Kosovës. Ky po punon që me e zhbë Kosovën. Kosova është më e madhe se ky keqbërës patologjik, ne si Aleancë kemi qenë të kujdesshëm dhe jemi mundur që të shtrijmë dorën”, deklaroi ai.

Haradinaj ka thënë se Kurti, sipas tij, e ka lënë qëllimisht ligjin përgjysmë në një moment kritik.

“Është momenti, është koha që të bashkohemi dhe të mos turpërohemi para historisë. Për këtë na ka besuar qytetari i Kosovës, mirëpo, sikurse e pamë sot, ranë maskat. Kurti e kurthoi edhe ligjin edhe vendin. Kurti i dha një goditje të rëndë UÇK-së, duke e lënë në gjysmë ligjin për Dhomat e Specializuara në momentin më kritik. Kurti e çoi vendin në zgjedhje në momentin më kritik”, tha Haradinaj.

Deputeti i AAK-së ka ngritur akuza edhe për mënyrën se si janë menaxhuar afatet kushtetuese, duke pretenduar se Kurti që nga 8 korriku ka vepruar për konsumimin e tyre.

“Gjithçka është bërë në bazë të skenarit të Kurtit. Prej 8 korrikut Kurti është kujdes që të konsumojë kohën kushtetuese. Edhe pyetjen që e ka dërguar sot u.d. presidentja ka mundur me dërguar para dy jave. Pse e ka dërguar vonë, që me fitu edhe ndonjë ditë që me u bërë zgjedhjet në dhjetor”, u shpreh Haradinaj.

Ai ka përsëritur thirrjen që deputetët ta përfundojnë procesin e miratimit të ligjit, duke theksuar se çështja nuk duhet të trajtohet si pronë e ndonjë subjekti politik.

Të fundit nga rubrika