Hoxha: Qeveria e ka shndërruar Ligjin për Dhomat e Specializuara në çështje kushtëzimi

Avokati Valdet Hoxha ka kritikuar zhvillimet e fundit politike në vend, veçanërisht mënyrën se si po trajtohet çështja e zgjedhjes së presidentit dhe Projektligji për Dhomat e Specializuara.

Hoxha, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, e ka cilësuar si “komike dhe tragjike” situatën politike, duke iu referuar kërkesës së kryeministrit Albin Kurti që PDK-ja të sigurojë mbështetjen e gjysmës së grupit parlamentar për kandidatin për president, Bekim Sejdiu.

“E gjitha kjo është komike dhe tragjike, e dëgjuam kryeministrin që kërkon gjysmën e deputetëve për një kandidat që është prej një marrëveshje me një subjekt tjetër politik e që është tërhequr dy herë nga gara. Vërtetë është e habitshme se në çfarë situate e ka pru vendit kjo skenë politike – në tavolinë po e dobësojnë themelin e shtetit përpara një situate shumë serioze dhe teme kombëtare. Do të duhej të kishin një qëndrim unik të gjitha partitë politike për të bë diçka në kuptim pozitiv të arritjes së një drejtësie”, u shpreh Hoxha.

Sipas tij, Qeveria e ka shndërruar çështjen e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në mjet kushtëzimi politik.

“Qeveria këtë temë e ka shndërruar në çështje kushtëzimi, ligji nuk është i PDK-së do të duhej të shihej si vullnet i qytetarëve dhe Qeverisë dhe për të mos ardhur në këtë situatë ku kalkulohet me orë e minuta – kush e ndali qeverinë që të mos ta aprovojë këtë nismë kur është dorëzu ku 10 ditë është mbajtur në sirtar kinse është mbajtur për shqyrtime ligjore – ne a jemi shteti apo ndonjë organizatë joqeveritare, është rast për studim si do të duhej të mos funksiononte shteti në rrethana të tilla”, u shpreh Hoxha.

 

Të fundit nga rubrika