Profesori universitar, Bekim Sejdiu, ka reaguar pas rikthimit të emrit të tij në diskutimet politike për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke bërë të qartë se nuk e konsideron veten pjesë të këtij procesi.
Sejdiu ka thënë se më 14 shtator kishte njoftuar tërheqjen e tij nga gara, pasi nuk ishte arritur marrëveshja politike mes LDK-së dhe LVV-së, dy partitë që e kishin propozuar dhe mbështetur kandidaturën e tij.
“Më datë 14 shtator, unë kam njoftuar tërheqjen time nga procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, për shkak të pamundësisë së realizimit të marrëveshjes LDK-LVV, dy partitë që më kanë propozuar dhe mbështetur në këtë proces. Kjo për shkak të qëndrimit të dy partive të tjera opozitare dhe 6 deputetëve të LDK-së”, ka shkruar Sejdiu.
Ai ka theksuar se arsyeja e vetme për pranimin e kandidaturës kishte qenë, sipas tij, interesi i vendit dhe përpjekja për të kontribuar në tejkalimin e krizës politike.
“Siç e kam theksuar kur e kam pranuar kandidaturën për postin e Presidentit e vetmja arsye dhe i vetmi motiv që më ka nxitur të marrë përsipër këtë barrë, ka qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në daljen nga kriza”, ka deklaruar ai.
Sejdiu ka treguar se ditëve të fundit emri i tij është rikthyer në diskutimet politike për gjetjen e një kandidati për president. Ai ka falënderuar liderët politikë që, siç ka thënë, kanë vazhduar ta konsiderojnë kandidat të denjë për këtë pozitë.
“Së fundi, emri im është përfshirë përsëri në diskutimet për gjetjen e një kandidati për President të vendit. Dëshiroj që me sinqeritetin më të madh të falënderoj ata liderë politikë që kanë vazhduar të besojnë se unë jam kandidat i denjë për pozitën e kreut të shtetit, sidomos në një situatë të ndjeshme si periudha nëpër të cilën po kalojmë”, ka shkruar Sejdiu.
Ai ka bërë të ditur se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e LDK-së, ndërsa ka njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti për qëndrimin e tij.
“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, ka thënë Sejdiu.
Sejdiu thotë se ka falënderuar Kurtin dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për besimin e shprehur ndaj tij dhe për komunikimin gjatë këtij procesi.
“Kryeministrin Kurti dhe Kryetarin Abdixhiku i kam falënderuar për besimin ndaj meje dhe korrektësinë në komunikimin më mua. Dëshiroj që këtë falënderim ta përsëris edhe në këtë rast”, ka shkruar ai.
Mes tjerash, Sejdiu ka shprehur shqetësimin për situatën politike në vend, duke bërë thirrje për reflektim përtej interesave politike.