Kurti me propozim të ri: Justina Pula për Presidente

Kryeministri Albin Kurti ka propozuar Justina Shiroka-Pulën si emër të ri për presidente të Kosovës, duke i kërkuar PDK-së që të garantojë pjesëmarrjen dhe votën e të gjithë 22 deputetëve të saj në zgjedhjen e presidentit.

Në konferencën e tretë për media gjatë ditës, Kurti tha se, nëse PDK-ja jep këtë zotim, LVV-ja është e gatshme që fillimisht të votojë Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe më pas, në të njëjtën seancë, të votohet për presidentin.

“Kur Hamza thotë se po ndryshoj qëndrimet bëhet fjalë për propozime të reja, natyrisht se propozimet e reja nuk janë të vjetra dhe së dyti e dëgjova edhe kritikën e tij lidhur me atë se Glauk Konjufca na qenka politik e partiak e në anën tjerët edhe Feride Rushiti na qenka fortë Vetëvendosje. Atëherë më lejoni që qëndrimin tonë të orës 20:00 ta modifikojë dhe ta përshtas edhe ca më tutje. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të del publikisht sonte pas meje menjëherë që 22 deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votë në zgjedhjen për President ne po ja votojmë projektligjin për gjykatën speciale paraprakisht – përpara, një seancë me dy pika dhe mandej votimin për presidente, Justina Shiroka-Pula”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se ky propozim vjen pas refuzimit të emrave të mëparshëm, Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit, nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili, sipas Kurtit, i ka konsideruar ata figura politike dhe për këtë arsye të papranueshëm.

“Pas refuzimit të profesor Bekim Sejdiut për president, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, refuzoi që të votohet njëherë projektligji mbi Gjykatën Speciale e mandej të bëhet votimi për President të ri në një seancë të njëjtë me dy pika të rendit të ditës. Me këtë rast kryetari Hamza refuzoi Glauk Konjufcën e Feride Rushitin duke thënë se ata janë politikë andaj janë të papranueshëm”, u shpreh Kurti.

Propozimi i ri i Kurtit parasheh që në një seancë të Kuvendit të votohet fillimisht Projektligji për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas të votohet për zgjedhjen e presidentit.

Të fundit nga rubrika