Qeveria mbajti mbledhje elektronike sonte, u morën disa vendime

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një sërë projektligjesh, programesh dhe vendimesh.

Në mesin e vendimeve të miratuara është Programi i Projektligjeve të Qeverisë për vitet 2026–2028, si dhe Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë.

Ky projektligj përcakton organizimin dhe zbatimin e Regjistrimit të Bujqësisë në territorin e Kosovës, përfshirë autoritetin kompetent, strukturat e përfshira, procedurat dhe metodologjinë për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe publikimin e të dhënave statistikore.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Komisionit Qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.

Po ashtu, është miratuar vendimi për themelimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve për anëtarë të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit të Tregut.

Në mbledhje është miratuar edhe Koncept-dokumenti për Fushën e Akreditimit, i cili synon zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë dhe përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e akreditimit.

Ndër vendimet e tjera është edhe rialokimi i mjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, në kuadër të projekteve të bashkëfinancimit me kuvendet komunale, në përputhje me memorandumet e mirëkuptimit për projektet kapitale.

Qeveria ka miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike në Kosovë për vitet 2026–2027, si dhe Programin Vjetor 2026 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.

Gjithashtu, është miratuar Projektligji për Efiçiencë të Energjisë, i cili përcakton kornizën ligjore për promovimin dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë në Kosovë, përmes përcaktimit të objektivave, masave dhe caqeve për kursimin e energjisë, sigurinë energjetike, mbrojtjen e mjedisit dhe luftimin e varfërisë energjetike.

Në fund, Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, të datës 1 tetor 2026, për konfirmimin e interesit të përgjithshëm publik në ushtrimin e aktiviteteve përkatëse nga Ndërmarrja Publike “Trepça” Sh.A.

Të fundit nga rubrika