Mbeturinat në Prishtinë, kallëzim penal ndaj kryeshefit të deponisë në Mirash

Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave ka ndryshuar orarin e deponisë në Mirash dhe sipas kompanisë “Pastrimi” kjo është arsyeja që mbledhja e mbeturinave në Prishtinë nuk po mund të bëhet sipas planifikimeve

Ndryshimi i orarit të deponisë së Mirashit po ndikon edhe në intererarin e kompanisë për mbledhjen e mbeturinave “Pastrimi” gjatë natës.

Kësisoj, sipas tyre kjo është arsyeja që rrugët e Prishtinës janë përplot mbeturina.

E, qytetarët kanë qëndrime të ndryshme për këtë situatë që po përballën.

“Po këtu po vijnë prej lagjeve tjera e po i hedhin këtu se kqyre qysh është mbush para dy dite i kanë largu”.

“Kjo është krejt politike, se partitë janë të ndryshme tani për inate politike bllokojnë njëri-tjetrin”.

Që inatet politike po tentojnë të sabotojnë Prishtinën po e mendojnë edhe niveli komunal.

“Hekuran Murati qëllimisht nuk e nënshkruan kredinë prej 74 milionë eurosh, që mundëson blerjen e 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve, që mundëson krijimin e qendrave për riciklimin e mbeturinave dhe rritjen e kapaciteteve të mirëfillta për menaxhimin e mbeturinave. Pra, tash e dy vite, Prishtina bëhet peng për shkak të inateve të një partie politike”, ka thënë Besianë Musmurati, nënkryetare e Prishtinës.

Nënkryetarja e Prishtinës ka paralajmëruar se do të padisin kryeshefin e Kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave, Dardan Velija.

Në një përgjigje për televizionin, Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave tha se e ka ndryshuar orarin sepse numri i atyre të kompanisë “Pastrimi” gjatë natës ka qenë tejet i vogël dhe ka pasur kosto shtesë të operimit 24 orë në ditë.

“Nga analiza e të dhënave dhe vlerësimi i situatës në terren është konstatuar se gjatë ndërrimit të natës, veçanërisht në Deponinë Sanitare Mirash, numri i kamionëve që shkarkojnë mbeturina nga KRM “Pastrimi” është relativisht i vogël krahasuar me aktivitetin gjatë ditës. Si rrjedhojë, operimi gjatë natës shkakton kosto shtesë, ndërkohë që kapacitetet teknike dhe njerëzore nuk shfrytëzohen në masën e duhur”, thuhet nga kompania./TVDUKAGJINI

Të fundit nga rubrika