Ish-veprimtari Faton Topalli, në intervistë në ciklin e dosjeve në kuadër të emisionit “Debat Plus” në TV Dukagjini, ka treguar për objektivat politike dhe strategjinë e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ), në të cilën ishte angazhuar që nga viti 1978.
Ai ka deklaruar se partia fillimisht kërkonte krijimin e një Republike Shqiptare brenda Jugosllavisë, ndërsa strategjia e saj parashihte tri faza të veprimit politik.
Sipas tij, nëse institucionet nuk do t’u përgjigjeshin kërkesave, faza e dytë parashihte organizimin e protestave, grevave dhe demonstratave.
“Shiqo, ne në luftën tonë kemi paraparë tri faza të zhvillimit. Në fazën e parë, kemi thënë që ne do të kërkojmë nga Lidhja Komuniste e Kosovës dhe Lidhja Komuniste e Jugosllavisë ta marrin përsipër zgjidhjen e problemit shqiptar brenda Jugosllavisë. Ne konsiderojmë që ky problem nuk është i zgjidhur dhe ky problem mund të zgjidhet me krijimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi. Kjo ka qenë faza e parë. Këtë ja kemi thënë në këtë këmbimin që kemi bërë me ta. Faza e dytë është që kemi thënë që nëse bëjnë veshin e shurdhër organet e Kosovës dhe ato federative, ne do të bëjmë, organizojmë presion publik përmes protestave, grevave dhe demonstratave”, ka deklaruar ai.
Topalli ka thënë se në rast se as këto veprime nuk do të jepnin rezultat, strategjia parashihte kalimin në luftë të armatosur.
“Dhe në qoftë se prapë këto organe bëjnë veshin e shurdhër, atëherë ne ngrihemi në luftë të armatosur. Po kur të ngrihemi në luftë të armatosur ne nuk kërkojmë më Republikë brenda Jugosllavisë, po kërkojmë bashkim me Shqipërinë”, ka thënë Topalli.
Ai ka shtuar se kërkesa për Republikë mbështetej në argumentin se shqiptarët jetonin në territoret e tyre etnike, të ndara në tri republika jugosllave, Serbi, Maqedoni dhe Mali i Zi.
Sipas Topallit, krijimi i Republikës Shqiptare do t’u mundësonte shqiptarëve të ushtronin të drejtën e vetëvendosjes.