“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat Plenkoviç

Shoqata shqiptare “Shkëndija” prezantoi vallen tradicionale shqiptare në koncertin e ansambleve të pakicave kombëtare në Zagreb, ku mori pjesë edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor ku u paraqitën ansamble të pakicave kombëtare në Kroaci.

Sipas një postimi të Ambasadës së Kosovës në Zagreb, në këtë ngjarje morën pjesë 16 ansamble që përfaqësonin komunitete të ndryshme kombëtare, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Përveç ansamblit “Shkëndija”, në program u paraqitën edhe Ansambli Akademik i Këngëve dhe Valleve të Ukrainës së Karpateve “VERKHOVYNA” dhe ansambli “LADO”.

“K’cimi i Tropojës”, një valle tradicionale nga veriu i Shqipërisë, shquhet për lëvizjet elegante dhe ritmin e fuqishëm, të shoqëruar me çifteli dhe tupan. Ajo simbolizon krenarinë, lirinë dhe bashkësinë e popullit shqiptar.

Që nga viti 2024, “K’cimi i Tropojës” është pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s.

Programi u organizua nga Këshilli për Pakicat Kombëtare i Republikës së Kroacisë, me mbështetjen e këtij institucioni.

Të fundit nga rubrika