Bashkimi Evropian (BE) ka një përgjigje ndaj paralajmërimeve ruse për vendet e Ballkanit Perëndimor: e ardhmja e tyre është në BE.
Ky është mesazhi që Brukseli përcjell pas deklaratës së zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. Në mesin e këtij muaji, ajo i kishte “paralajmëruar” vendet e rajonit se integrimi evropian nuk është më vetëm çështje anëtarësimi, por nënkupton edhe pranimin e politikës së Brukselit ndaj Moskës, sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme ruse.
E pyetur se si mund t’i mbrojë vendet që synojnë anëtarësimin nga pasojat e paralajmërimeve ruse, Komisioni Evropian tha se “lufta kundër manipulimit të informacionit nga jashtë, dezinformimit dhe kërcënimeve të tjera hibride është pjesë përbërëse e procesit të anëtarësimit”.
“Mbrojtja e procesit të integrimit evropian dhe e integritetit të mediave nga dezinformimi dhe manipulimi i informacionit nga jashtë është me rëndësi thelbësore”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë (REL).
Teksa Brukseli thekson se Bashkimi Evropian është partneri kryesor politik, ekonomik dhe strategjik i Ballkanit Perëndimor, bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë vlerësojnë se Moska po e paraqet gjithnjë e më shpesh integrimin evropian si një zgjedhje mes afrimit me BE-në dhe ruajtjes së marrëdhënieve me Rusinë.
Harmonizimi i politikave të vendeve të rajonit me BE-në
Mesazhet nga Moska nuk janë diçka e re për vendet e Ballkanit Perëndimor që po përparojnë drejt integrimit evropian dhe euroatlantik.
Zyrtarët rusë prej vitesh kritikojnë zgjerimin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
Përplasja e fundit pasoi vendimin e Podgoricës për ta hequr nga nëntori regjimin pa viza për shtetasit rusë, vendim të cilin Ambasada e Rusisë në Mal të Zi e cilësoi si “veprim armiqësor”.
Autoritetet në Podgoricë thonë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synimi strategjik i politikës së jashtme të vendit dhe se Mali i Zi do të vazhdojë harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
“Qëndrimet e Moskës zyrtare për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe për anëtarësimin e tij të ardhshëm në Bashkimin Evropian, janë të njohura dhe nuk përbëjnë risi në marrëdhëniet tona dypalëshe. Megjithatë, ato nuk i përcaktojnë vendimet tona strategjike, të cilat i marrim në mënyrë të pavarur, në përputhje me interesat kombëtare dhe vullnetin e qytetarëve tanë”, tha Ministria e Jashtme e Malit të Zi për REL-in.
Autoritetet malazeze shtojnë se masat që Podgorica ndërmerr në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së nuk i konsiderojnë veprime armiqësore ndaj Rusisë, por pjesë të detyrimeve që burojnë nga rrugëtimi evropian i vendit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi, anëtarësimin në BE e mbështesin mbi 80 për qind e qytetarëve.
Ndërkohë, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova i kanë harmonizuar politikat e tyre të jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së, përfshirë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Bosnje e Hercegovina për shkak të sistemit të ndërlikuar të vendimmarrjes, nuk i zbaton plotësisht të gjitha vendimet e Brukselit, ndërsa Serbia është i vetmi vend i rajonit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës.
Autoritetet e këtyre vendeve nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për të komentuar “paralajmërimet” e Zakharovës.
Mesazhi i Moskës, drejtuar “kryesisht” Serbisë
Deklarata e Zakharovës se integrimi evropian nënkupton harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së ndaj Rusisë, përfshirë sanksionet kundër Moskës dhe mbështetjen për Ukrainën, mund të lidhet edhe me zgjedhjet parlamentare në Serbi, që do të mbahen më 25 tetor.
Kështu vlerësojnë analistët me të cilët ka biseduar REL-i, sipas të cilëve mesazhi, përveçse pasqyron qëndrimin e Moskës ndaj integrimit evropian, mund të synojë edhe ndikimin te votuesit.
“Kjo është një përpjekje për ta diskredituar paraprakisht Listën Studentore para zgjedhjeve në Serbi më 25 tetor, duke e paraqitur votimin si një çështje të pranimit të menjëhershëm të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, thotë Kurt Bassuener, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit.
Bassuener vlerëson gjithashtu se ky mesazh tregon se Moska po e sheh gjithnjë e më hapur Bashkimin Evropian si “kundërshtarin kryesor”, në vend të asaj që në Rusi më parë e quanin “Perëndimi kolektiv”.
Edhe Dimitrije Milliq, nga organizata “Rruga e Re e Tretë”, thekson se deklarata e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse i drejtohet kryesisht Serbisë.
“Duke pasur parasysh se është i vetmi vend që nuk e ka harmonizuar politikën e jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian, përkatësisht që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë”, thotë Milliq.
Sipas tij, Moska synon ta ndërlidhë integrimin evropian me mbështetjen e plotë të politikës së BE-së ndaj Rusisë dhe Ukrainës, duke e zbehur dallimin mes orientimit proevropian dhe atij euroatlantik.
Bassuener dhe Milliq vlerësojnë se ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është sot më i dobët se më parë, megjithëse Moska vazhdon të ketë mundësi të ndikojë në rajon dhe të nxisë paqëndrueshmëri.
Për këtë arsye, Bassuener i bën thirrje BE-së ta forcojë praninë e saj, veçanërisht përmes misionit EUFOR në Bosnje e Hercegovinë.
Rusia dhe Ballkani pas vitit 2022
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, harta politike e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor ka ndryshuar ndjeshëm.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë plotësisht të harmonizuara me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe janë anëtare të NATO-s.
Kosova, e cila nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, gjithashtu ndjek qëndrimet e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.
Rusia nuk ka marrëdhënie dypalëshe me Kosovën, ndërsa Prishtina e konsideron Moskën një nga mbështetëset kryesore të Serbisë në politikën e jashtme.
Në Bosnje e Hercegovinë, ndikimi rus lidhet kryesisht me mbështetjen politike për autoritetet e Republikës Sërpska dhe bashkëpunimin e ngushtë me Millorad Dodikun. Partia e tij bllokon zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe vendosjen e vizave për shtetasit rusë.
Serbia mbetet partnerja më e afërt politike e Rusisë në rajon.
Pavarësisht statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Beogradi nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Në të njëjtën kohë, Serbia vazhdon të jetë në masë të madhe e varur nga gazi rus, ndërsa po zhvillohen përpjekje për zgjidhjen e çështjes së pronësisë së Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), mes kompanisë ruse Gazprom Neft dhe asaj hungareze MOL.
Varësia energjetike nga Rusia është aktualisht më e theksuar pikërisht në Serbi, ndërsa vendet e tjera të rajonit, gjatë viteve të fundit, kanë intensifikuar përpjekjet për diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz dhe zvogëlimin e varësisë nga energjia ruse.
Megjithatë, Bashkimi Evropian mbetet bindshëm partneri më i madh tregtar i të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë./RadioEvropaeLirë