Rusia godet Kievin me raketa, Ukraina sulmon Moskën me qindra dronë

Rusia ka sulmuar Kievin me raketa balistike, ndërsa Ukraina ka dërguar qindra dronë drejt Moskës gjatë natës, duke vazhduar sulmet mes dy vendeve pavarësisht përpjekjeve të fundit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës.

Të mërkurën, Rusia deklaroi se është e gatshme të rifillojë muajin e ardhshëm bisedimet me Ukrainën, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja. Njoftimi erdhi pas takimit të presidentit rus, Vladimir Putin, me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff, në Shën Petersburg, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shprehu shpresën se negociatat, të cilat do të ishin të parat që nga shkurti, mund të zhvillohen në fillim të nëntorit.

Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka lëshuar të paktën 21 raketa balistike në tri valë sulmesh. Ndërkaq, pala ruse pretendoi se Ukraina kishte nisur 630 dronë drejt kryeqytetit Moskë gjatë natës.

Ndërkohë, të dyja palët kanë shkëmbyer trupat e ushtarëve të vrarë. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Belta, me seli në Bjellorusinë fqinje, Rusia i dorëzoi Ukrainës 252 trupa, ndërsa Ukraina dorëzoi 25. Shkëmbime të tilla kanë shoqëruar edhe më parë përpjekjet për nisjen e negociatave.

Megjithatë, pavarësisht deklaratave për njëfarë përparimi në bisedime, Kremlini ka shprehur rezerva për propozimet e diskutuara. Witkoff kishte folur për “njëfarë dinamike pozitive” pas takimeve që zhvilloi në Oslo me Zelenskyn dhe përfaqësues evropianë e të NATO-s në fillim të javës.

“Këto nuanca të reja, si të thuash, nuk na kënaqin plotësisht”, deklaroi Yuri Ushakov, këshilltar i Kremlinit, duke iu referuar propozimeve të diskutuara në Oslo.

Një zyrtar i lartë rus, i informuar për takimin mes Putinit dhe Witkoffit, tha se bisedimet kishin qenë relativisht të shkurtra dhe nuk kishin prodhuar diskutime thelbësore. Sipas këtij burimi, i dërguari amerikan i kishte dorëzuar Putinit për shqyrtim një grup propozimesh të hartuara gjatë takimeve në Oslo.

Një burim tjetër pranë Kremlinit deklaroi se propozimet amerikane përfshinin një skenar sipas të cilit Ukraina do t’ia dorëzonte Rusisë të gjithë rajonin e Donbasit, në këmbim të një garancie për sigurinë e saj të ardhshme nga NATO-ja.

Rusia ka deklaruar se një nga arsyet e nisjes së luftës, më vdekjeprurëses në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ishte parandalimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Moska ka përsëritur se nuk do t’i japë fund luftimeve pa lëshime territoriale nga Ukraina, kufizime të forcave të saj ushtarake dhe një zotim të përhershëm për të mos iu bashkuar aleancave ushtarake.

Nga ana tjetër, Ukraina e cilëson pushtimin rus si një luftë agresioni të paprovokuar dhe i ka kundërshtuar vazhdimisht kushtet e Moskës. Kievi argumenton se kërkesat ruse përbëjnë një përpjekje për ta detyruar vendin të kapitullonte dhe do ta linin atë të pambrojtur ndaj sulmeve të mundshme në të ardhmen.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika