Ishte shpresa e saj e fundit…
Arlinda Zekaj, e vrarë të dielën në Vitomiricë të Pejës, i ishte drejtuar Prokurorisë 3 ditë më parë. Ajo kërkonte masa urgjente ndaj zyrtarëve, duke përmendur dështime në trajtimin e rastit të saj.
Letra drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026, transmeton KosovaPress.
Në të, Zekaj shkruante se zyrtarët kishin bartur përgjegjësinë te njëri-tjetri, duke lejuar vazhdimin e rrezikut për jetën e saj.
“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësitë te njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë”, shkruante ajo.
Zekaj kërkonte edhe ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë. Në këtë kërkesë, ajo përmendte veçanërisht Qendrën për Punë Sociale.
“Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, shkruante Zekaj.
Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar pranimin e parashtresës. Sipas saj, kryeprokurorja kishte urdhëruar regjistrimin për trajtim nga prokurori kompetent. Pretendimet do të vlerësoheshin për përgjegjësi të mundshme penale për veprën “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria ka njoftuar se parashtresa u ishte përcjellë për trajtim urgjent Policisë dhe Gjykatës Themelore në Pejë. Ajo i ishte dërguar edhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrës për Punë Sociale.
Zekaj u gjet pa shenja jete të dielën, rreth orës 21:10. Sipas Policisë, i dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili ndodhet në arrati.
Vrasjes i kishte paraprirë një raportim për dhunë në familje, rreth orës 19:00. Viktima ishte intervistuar në stacionin policor, ndërsa bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë./KP

