Udhëheqësi i Alternativës për Ndryshim, Visar Mehmeti, ka thënë se Koalicioni Shqiptar do t’u qaset bashkërisht çështjeve që lidhen me interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë edhe mundësinë e bashkëpunimit me Listën Studentore.
Në FIVE të TV Dukagjinit, duke folur lidhur me zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Mehmeti ka theksuar se subjektet shqiptare kanë marrëveshje që vendimet për çështjet e komunitetit shqiptar të mos merren ndaras nga partitë, por përmes një qëndrimi të përbashkët.
“E kemi nënshkruar një marrëveshje ne, Koalicioni Shqiptar, në Kryeministrinë e Kosovës, ku çdo çështjeje do t’i qasemi bashkërisht, jo ndaras. Pasi që çështjet që preokupojnë komunitetin tonë shqiptar nuk janë çështje që i përkasin njërës ose tjetrës parti, por janë çështje thellësisht të rëndësishme për secilin shqiptar që jeton në Luginë”, ka deklaruar Mehmeti.
Ai ka thënë se çdo vendim që vlerësohet se është në favor të shqiptarëve do të merret në mënyrë të përbashkët nga koalicioni.
Mehmeti ka përmendur edhe mundësinë e uljes në tavolinë me Listën Studentore, për të diskutuar çështjet që lidhen me interesat e shqiptarëve, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me këtë subjekt politik.
“Çdo vendim që do ta marrim dhe që mendoj se është në favor të shqiptarëve do të jetë i përbashkët. Përfshi këtu edhe uljen në tavolinë me Listën Studentore, për t’i diskutuar të gjitha çështjet tona”, ka thënë ai.
Sipas rezultateve dhe përllogaritjeve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 25 tetor, Koalicioni Shqiptar pritet të sigurojë dy mandate në Parlamentin e Serbisë, me Shaip Kamberin dhe Visar Mehmetin si përfaqësues të pritshëm të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ndërkohë, rezultatet e raportuara për Listën Studentore tregojnë mbështetje të lartë në zgjedhje.