Bisedë e rrallë mes Putinit dhe liderëve nordikë për paqen në Ukrainë

Udhëheqësit e Finlandës dhe Norvegjisë kanë zhvilluar një bisedë të përbashkët telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, me synimin për të diskutuar mundësitë e negociatave të ardhshme për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Biseda, e cila zgjati rreth 90 minuta dhe u zhvillua nga kryeqyteti finlandez, Helsinki, përbën një kontakt të rrallë të presidentit rus me liderë evropianë.

Zyrat e presidentit finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Støre, bënë të ditur se nisma kishte për qëllim shqyrtimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se ajo nuk ishte ndërmarrë në emër të gjithë Evropës, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Sipas Stubb, biseda ishte e drejtpërdrejtë dhe përmbajtësore, ndërsa dallimet mes palëve mbetën të mëdha.

“Rezultati i luftës do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë dhe në sigurinë më të gjerë evropiane”, deklaroi Stubb.

Ndërkaq, kryeministri norvegjez, Støre, theksoi se lufta po shkakton pasoja të rënda njerëzore dhe materiale, të cilat do të ndihen edhe në gjeneratat e ardhshme.

“Lufta vjen me kosto të jashtëzakonshme njerëzore dhe materiale. Vuajtjet dhe shkatërrimet do të ndikojnë në gjenerata”, tha ai.

Kremlini bëri të ditur se gjatë bisedës Putini kishte theksuar se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse merren parasysh interesat e Rusisë.

Pas telefonatës, presidenti rus fajësoi politikat, siç i cilësoi ai, konfrontuese të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për zgjatjen e luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Sipas deklaratës së Kremlinit, të tre liderët ranë dakord të vazhdojnë komunikimin e drejtpërdrejtë përmes telefonit. Støre tha gjithashtu se aleatët e tyre ishin informuar paraprakisht për këtë bisedë.

Pas bisedës me Putinin, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një komunikim me Stubb dhe Støre. Ai i falënderoi dy liderët për mbështetjen aktive ndaj Ukrainës.

Zelensky bëri të ditur se gjatë diskutimeve ishte trajtuar edhe raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që pritet të mbahet në nëntor në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai tha se kishte diskutuar me dy liderët edhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm me partnerët evropianë.

“Diskutuam formate të ndryshme të angazhimit tonë me partnerët në Evropë, të cilat mund të jenë të dobishme për mbështetjen e mëtejshme të diplomacisë, mbrojtjes sonë dhe sigurisë sonë të përbashkët”, deklaroi Zelensky.

Javën e kaluar, presidenti ukrainas ishte takuar në Oslo me liderët e Finlandës dhe Norvegjisë, si dhe me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff. Pas takimeve në kryeqytetin norvegjez, Witkoff udhëtoi drejt Shën Petersburgut, ku u takua me Putinin.

Pas këtyre kontakteve, Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja ranë dakord të rifillojnë negociatat trepalëshe, të cilat Rusia i kishte ndërprerë për disa muaj.

Biseda e së martës ka nxitur reagime të ndryshme nga liderët evropianë. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, u shpreh skeptike ndaj këtij dialogu, duke thënë për transmetuesin danez DR se nisma nuk ishte koordinuar me pjesën tjetër të vendeve evropiane.

Ndërkaq, kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se Stubb e kishte informuar se qëndrimi i Evropës lidhur me bisedimet e ardhshme në Emiratet e Bashkuara Arabe ishte “mesatarisht optimist”.

Stubb dhe Støre janë liderët e parë evropianë që kanë kontaktuar drejtpërdrejt me Putinin që nga biseda e presidentit francez, Emmanuel Macron, me të në korrik të vitit 2025.

Me ndryshimin e qëndrimit të administratës amerikane ndaj Rusisë, disa liderë evropianë kanë argumentuar se Evropa duhet të përpiqet të vendosë kontakte të drejtpërdrejta me Kremlinin.

Moska, në anën tjetër, vazhdimisht ka kritikuar liderët evropianë dhe ka akuzuar Bashkimin Evropian se po e zgjat luftën duke i furnizuar forcat ukrainase me armë.

Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi fundjavën e kaluar se do të ishte “mirë” që një përfaqësues evropian të merrte pjesë në tryezën e negociatave për paqe.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika