Ambasada Gjermane në Kosovë ka shprehur pikëllimin për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke bërë thirrje për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së grave dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore.
Në një deklaratë, ambasada ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e viktimës, duke theksuar se femicidi nuk është një rast i izoluar, por një sfidë serioze shoqërore, njofton Dukagjini.
“Çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna, dhe kjo e drejtë duhet të mbrohet përmes angazhimit të përbashkët dhe veprimeve konkrete”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Gjermane.
Ambasada ka vlerësuar se vrasja e Zekajt është një kujtesë e dhimbshme se femicidi përfaqëson formën më ekstreme të dhunës ndaj grave dhe kërkon reagim të vazhdueshëm e të koordinuar.
“Sigurimi i sigurisë dhe mbrojtjes për gratë në rrezik duhet të mbetet një prioritet i përbashkët, i mbështetur nga masat efektive parandaluese, veprimet institucionale në kohë dhe shërbimet e qasshme të mbështetjes”, thuhet më tej në reagim.
Ambasada ka rikujtuar se Kosova është palë e Konventës së Stambollit të Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Mes tjerash, Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve relevantë që të vazhdojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, zbatimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes dhe krijimin e një kulture ku dhuna nuk tolerohet dhe as nuk injorohet.