Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rezultatin e Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet e mbajtura të dielën në Serbi, duke bërë të ditur se ky subjekt ka siguruar 27 mijë e 607 vota, rezultatin më të lartë për shqiptarët që nga viti 2000.
Sipas Kurtit, ky rezultat dëshmon rëndësinë e bashkimit të subjekteve politike shqiptare, pavarësisht dallimeve mes tyre. Ai ka theksuar se shqiptarët janë renditur të dytët për nga numri i votave dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, në mesin e listave të pakicave kombëtare në Serbi.
“Të dielën që lamë pas, u mbajtën zgjedhjet në Serbi, në këto zgjedhje pati disa arritje historike. Koalicioni Shqiptar morri 27.607 vota, ky është rezultati më i lartë i shqiptarëve që nga viti 2000. Plot 1.233 vota më shumë se sa në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate. Me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, ky rezultat ka ekuivalentin përllogaritës të 37.354 votave. Shqiptarët janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët ndër listat e pakicave kombëtare”, tha ai.
Kurti ka komentuar edhe rezultatet e subjekteve të tjera politike në Serbi, duke veçuar fitoren e listës studentore, humbjen e shumicës parlamentare nga koalicioni i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe mbetjen jashtë Kuvendit të listës së Ivica Daçiqit.
“Në anën tjetër, lista studentore doli e para. Koalicioni Vuçiqit e humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Shexhelit, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi, humbën. Ky rezultat kaq i mirë për shqiptarët vjen natyrisht si rezultat i bashkimit të të gjitha forcave në një, për çka e falënderoj secilin subjekt politik atje për vullnetin e tyre që përkundër dallimeve të bashkohen për një kauzë tejet të rëndësishme siç është jeta më e mirë, më e drejtë dhe më e dinjitetshme e shqiptarëve”, tha ai.
Kreu i Qeverisë ka falënderuar subjektet politike shqiptare për bashkëpunimin, duke vlerësuar se bashkimi rreth interesave të përbashkëta ka ndikuar në arritjen e këtij rezultati zgjedhor.
Ai ka theksuar se përmirësimi i jetës dhe garantimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi mbeten qëllime të rëndësishme përtej dallimeve politike.