Rregullorja e re e Kuvendit pa zgjidhje konkrete për mungesat e deputetëve

Ndryshime erdhen si pasojë e kompromiseve pas mospajtimeve ndërmjet partive politike

Seanca e 14 korrikut në Kuvendin e Kosovës

Draft-rregullorja e re e punës së Kuvendit pritet të dalë për shqyrtim para deputetëve të enjten, pa zgjidhje të qartë për mungesat e pa arsyeshme të deputetëve dhe ndëshkimin financiar të tyre. Në versionin përfundimtar është larguar edhe “Konferenca e Kryetarëve”, trupa e re e cila parashihej t’ia merrte kompetencat kryesore Kryesisë së Kuvendit. Këto ndryshime erdhen si kompromis pas mospajtimeve ndërmjet partive politike.

Puna e zvarritur qe një dekadë për rregulloren e re të Kuvendit, ka arritur fundin.

Por, drafti përfundimtar ka pësuar goxha ndryshime nga versioni fillestar.

Teksti aktual nuk rregullon drejtpërdrejt atë që kërkohet tash e sa kohë, sanksionimin financiar të deputetëve që mungojnë pa arsye në punimet e Kuvendit.

Këtë përgjegjësi, drafti që do të shqyrtohet të enjten në lexim të dytë, ia lë kryesisë, nga e cila kërkohet që hartojë një dokument të veçantë.

“Kryesia e Kuvendit me akte të veçantë përcakton kushtet dhe mënyrat e kompensimit   për pjesëmarrjen e deputetit në mbledhjen grupit të punës, të komisionit apo seancë plenare”, shkruan në draftin e rregullores së re.

Adnan Rrustemi ka kryesuar grupin punues për hartimin e rregullores së re.

Deputeti i Vetëvendosjes thotë se mosrregullimi direkt i kësaj çështjeje ka ndodhur për shkak të mospajtimeve ndërmjet partive rreth mënyrës se si do të organizohej sanksionimi i deputetëve.

“Nuk është që ka pasur shumë mospajtim sa i përket kufizimit sa ka pasur dilema se si mund të administrohet kufizimi, njoftimi, arsyetimi i mungesës etj. Prandaj kemi vendosur që të krijojmë bazën juridike që kryesia e Kuvendit të nxjerrë një akt të brendshëm ku vendosë kriteret dhe kushtet e administrimit të pjesëmarrjes, të asaj çka konsiderohet pjesëmarrje, kuorum dhe të kompensimit mbi pjesëmarrjen”, ka thënë Adnan Rrustemi, Kryesues i Komisionit për Legjislacion.

Nxjerrja e këtij akti synohet të bëhet brenda gjashtë muajve që nga hyrja në fuqi e rregullores së re.

Ndryshimi i dytë është Konferenca e Kryetarëve.

Sipas draftit të kaluar, kësaj trupe të re parashihej t’i jepeshin disa nga komptetencat aktuale që i ka kryesia e Kuvendit, si thirrja e seancave dhe përcaktimi i rendit të ditës.

Ky nen, sipas Rrustemit, është modifikuar për të shmangur dublifikimin e punës ndërmjet kryesisë dhe konferencës.

“Ne kemi gjetur një mes duke institucionalizuar praktikën aktuale e cila nuk ka qenë e formalizuar, por duke fuqizuar po ashtu rolin e kryetarëve të grupeve parlamentare. Kryesia e Kuvendit në draftin përfundimtar bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare marrin vendim bashkërisht me konsensus sa i përket thirrjes së seancave, rendin e ditës, propozimin e komisioneve, përbërjes”, shton Rrustemi, kryesues i Komisioni për Legjislacion.

Dokumenti që synon të rregullojë mangësitë në funksionimin e legjislativit, përmban edhe ndryshime tjera, kryesisht procedurale.

Puna për hartimin e rregullores së re ka filluar në vitin 2010, derisa legjislatura aktuale është e katërta që merret me këtë proces.

 

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika