Haxhiu i quan “projekte të dështuara” akuzat e LDK-së për kapjen e institucioneve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka quajtur përpjekje të dështuara, akuzat e përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me kapjen e institucioneve të drejtësisë.

Për zëdhënsen e LDK-së, Sibel Halimi, qeveria po pretendon t’i kap edhe institucionet e pavarura, teksa i ka quajtur shqetësuese tendencat e qeverisë për të anashkaluar Komisionin e Venecias.

“Përpjekjet e opozitës për të njollosur dy iniciativa të rëndësishme, atë për reformën në sistemin prokurorial dhe atë për konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve në rastet kur ajo nuk mund të justifikohet, janë të dështuara”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ndonëse për ministren e drejtësisë, rruga drejt reformave nuk do të jetë e lehtë, ajo ka theksuar se megjithatë ekziston një vullnët ‘i hekurt” për të bërë ndryshimet e duhura.

“Vendi ynë do të bëhet i jetueshëm, me drejtësi e barazi”, shtoi ajo.

Në konferencën e LDK-së, të mërkurën e 13 prillit, deputeti Driton Selmanaj,  ka thënë se me pretekstin për ç’ kapje, qeveria po mundohet t’i kap institucionet e drejtësisë.

“Shqetësim është se si po provohet që rekomandimet e Komisionit të Venecias të shfrytëzohen për legjitimim të qëllimeve jo të mira të institucioneve të Kosovës. Marrim projektligjin për Këshillin Prokurorial. Qeveria e ka dërguar në Komisionin e Venecias, dhe akoma pa e përfunduar ky komision punën e vet, qeveria e ka proceduar në Kuvend. Ne e shohim si tendencë për keqpërdorim”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky dokument duhet të tërhiqet pasi përmbajtja e tij është klasike për kapjen e këtij institucioni.

“LDK-ja shpreh shqetësimin e saj për formën se si ka shkuar ky proces deri më sot pa përpjekje për një konsensus politik. Kanë vendosur që ta dërgojnë një koncept dokument e draft komentet që vijnë nga komisioni i Venecias flasin për probleme serioze”, ka thënë ai.

Ndryshe, Komisioni i Venecias më nëntë mars të vitit 2022, ka lëshuar draft-opinion, lidhur me versionin e ridërguar të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Sipas këtij draft-opinioni, propozimi për ndryshimin e përbërjes së caktuar të Këshillit Prokurorial nga 13 në shtatë anëtarë nuk cenon standardet ndërkombëtare.

“Në këtë përbërje shtatë anëtarësh do të jenë Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare, tre prokurorë të zgjedhur nga ana e prokurorisë themelore, të Apelit dhe Speciale, si dhe tre anëtarë jo prokurorë – dy të zgjedhur nga Kuvendi dhe një i caktuar nga Avokati i Popullit”.

Po ashtu, draft-opinioni i Komisionit të Venecias potencon se projektligji ka adresuar komentet e këtij komisioni lidhur me shkurtimin e mandatit të shumicës së anëtarëve aktualë të Këshillit, duke mundësuar që nga nëntë anëtarë aktualë tre prej tyre të vazhdojnë mandatin e tyre ligjor.

Sipas Komisionit të Venecias, ndryshimet e propozuara në këtë Projektligj paraqesin progres të qartë dhe përmbajtjesor krahasuar me Projektligjin që ishte dërguar në Komisionin e Venecias për herë të parë në fund të vitit 2021.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika