Për konstituimin e Kuvendit e për formimin e qeverisë i ka hequr dilemat, kryetari i Lëvizjes Vëtevendosje Albin Kurti.
Por dilema ka nëse legjislatura e dhjetë do të votoj “pro” buxhetit të 2026-ës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare
”As zgjedhja e presidentit dhe as miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nuk kalojnë pa vota të deputetëve të opozitës”- Albin Kurti- Kryetar i LVV-së.
“Prandaj unë nuk e di çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë opozitare në javët dhe muajt në vijim. A është e qartë që as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as rizgjedhjen e presidentes, zgjedhjen e presidentit, ne nuk mund t’i kalojmë pa pasur edhe deputetë nga opozita. Ndërkohë që bllokadat sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë i ka larguar populli me 28 dhjetor.”-Albin Kurti- Kryetar i LVV-së.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, që doli e dyta në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk kanë ende qëndrim sa i përket këtyre cështjeve, sepse po presin që fillimit të konstituohet Kuvendi.
E në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se kanë votuar dhe do të votojnë për marrëveshjet që janë në interes të Kosovës.
“LDK-ja është parti shtetformuese dhe ne asnjëherë nuk i shohim marrëveshjet ndërkombëtare si mjet për luftë politike ditore. Ne e kuptojmë se këto marrëveshje janë jetike për zhvillimin ekonomik dhe projektet kapitale që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve si dhe ruajtjen e raporteve me partnerët tanë strategjikë, pasi dështimi i votimit të tyre dëmton kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sa i përket deklaratës së z.Kurti, duhet të jemi të qartë: përgjegjësia kryesore për sigurimin e votave dhe mbarëvajtjen e punëve në Kuvend i takon mazhorancës. LDK-ja ka votuar dhe do të vazhdojë t’i votojë ato marrëveshje që janë në interes të Republikës së Kosovës. Nëse qeveria e radhes nuk i ka votat, kjo vjen si pasojë e paaftëisë së tyre për të menaxhuar numrat e vet brenda grupit parlamentar dhe mungesës së bashkëpunimit me opozitën. Ne mbetemi të përkushtuar në rolin tonë konstruktive, duke mos bllokuar proceset që i shërbejnë shtetit, por duke kërkuar llogaridhënie për çdo dështim të ciles do qeveri në menaxhimin e proceseve legjislative.”- Anton Çuni – LDK
Për këtë e qartë është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ata po thonë se asnjëherë nuk kanë qenë pengesë e marrveshjeve që janë në interes të vendit.
Ndërkohë, profesori universitar, Dritëro Arifi po thotë se këto marrëveshje janë të rëndësishme dhe duhet gjetur gjuhë e përbashkët për ti kaluar.
“Sidomos marrëveshjet ndërkombëtare që lidhen me Bashkimin Evropian për planin e rritjes me Bankën Botërore por edhe marrëveshjet tjera, është i rëndësishëm koordinimi dhe bashkëpunimi sepse duhet të jenë 2 të tretat e votave për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare apo me numra mbi 80 veta duhet të jenë me votu pro që ato marrëveshje me u ratifiku në Kuvendin e Kosovës, nuk e shoh që opozita do të bëjë problem për këto marreveshje sepse janë impuls i madh për Kosovën dhe ekonomin që duhet bërë Kosova në ditët në vazhdim.”-Dritëro Arifi – Profesor i mardhënieve ndërkombëtare
Vitin e kaluar, pas shumë dështimesh për konstituimin e Kuvendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 11 nëntor thirri seancë me disa pika të rendit të ditës, ndër to për formimin e komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, e ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Por kjo seancë u bojkotua nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja duke e quajtur të jashtëligjshme.