Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka cilësuar ato si të pajustifikuara dhe në mospërputhje me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend.
Në një komunikatë për media, LDK thekson se këto masa po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmtojnë funksionimin e institucioneve shtetërore, ndërsa nuk po ndikojnë te vendimmarrësit politikë.
Sipas LDK-së, kriteri i vendosur nga Bashkimi Evropian për transferimin e pushtetit lokal në komunat veriore tashmë është përmbushur, çka, sipas tyre, e bën të panevojshëm vazhdimin e masave ndëshkuese.
Partia vlerëson se si pasojë e këtyre masave, një numër i madh projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike në vend.
LDK i bën thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke u bazuar në parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit.
LDK thekson se Republika e Kosovës meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.
