Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklarimeve të ish-kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, i cili ka shprehur pakënaqësi për drejtimin aktual të LDK-së dhe ka vlerësuar se Abdixhiku do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme, në vend se të kërkonte votëbesim.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Abdixhiku ka folur për atë që ai e ka cilësuar si një “mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë”, duke theksuar se ekziston një mllef dhe një angazhim i vazhdueshëm për ta sulmuar atë, LDK-në, familjen Rugova dhe figura të tjera të kësaj partie.
“Kjo ndodh gjithmonë kur prapaskena mbetet pa rol, kur skemat e errëta nuk gjejnë më derë, dhe kur anëtarësia, me një qetësi që nuk shet shpirtin, e mbyll kapitullin. Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e mbysin atë. Që, në vend të maturisë, ndihmesës dhe këshillëdhënies në kohë të vështira zgjedhin të përbaltin dhe të hapin kriza me çdo kusht”, ka deklaruar Abdixhiku, duke e cilësuar këtë sjellje si “papjekuri”.
Ai ka shtuar se shpesh e vë në dyshim se si do të dukej sot LDK-ja “sikur e gjithë kjo përvojë do të ishte pranë nesh, e jo përballë”.
Sipas tij, Kuvendi i fundit i LDK-së nuk përfaqësonte vetëm një proces demokratik, por edhe një vijë ndarëse mes një periudhe që, siç tha ai, synonte kontroll pa parime dhe një faze të re që synon rimëkëmbje dhe përgjegjësi.
“Prej asaj dite, kjo shtëpi ecën përpara me njerëzit e saj, me besimin e vet dhe me dinjitetin e zgjedhjes së lirë. Rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat”, ka theksuar ai.
Abdixhiku ka theksuar se nuk mund të ketë unitet të LDK-së përmes logjikës së prapaskenave, intrigave dhe mosrespektimit të vullnetit të anëtarësisë.
“Të gjithë do të pensionohemi një ditë; por jo nga dinjiteti, dhe jo nga njerëzorja. Ato duhet t’i ruajmë. Sepse fundi i rolit nuk është fundi i botës; është thjesht pranim i kohës që ka ecur përpara. LDK-në do ta bashkojmë. Fort madje. Por jo kështu. Jo me këtë logjikë. Jo me ata që nuk e pranojnë se çdo kohë ka një fund. Jo me ata që besojnë se vullneti i anëtarësisë mund të riformësohet e tjetërsohet në prapaskenat e darkave përplot intriga. E aq më pak me ata që kanë refuzuar, vazhdimisht, ta dëgjojnë këtë anëtarësi”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndërkohë, në një intervistë për Kosovapress, Isa Mustafa ka deklaruar se Abdixhiku kishte keqmenaxhuar proceset e brendshme të partisë dhe se votëbesimi nuk përbën zgjidhje.
Mustafa ka kritikuar gjithashtu edhe deklaratat e Ukë Rugovës, i cili e kishte cilësuar presidenten Vjosa Osmani si “rugoviste”.
