Abdixhiku refuzon dorëheqjen e Xhafer Gashit: LDK s’i braktis njerëzit e saj në momentet e vështira

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka refuzuar dorëheqjen morale të Xhafer Gashit pas rezultatit të balotazhit në Obiliq.

“Katër vite më parë LDK në Obiliq ishte një parti me vetëm 10%. Gjatë rrugës u bashkuam me Xhafer Gashin, por nuk arritem bashkë ta bashkojmë shumicën e Obiliqit me ne. Gjithsesi, sot LDK në Obiliq është parti e parë me plot 46% dhe kjo arritje është meritë vetëm e Xhafës dhe ekipit që ai ka”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai e ka cilësuar Gashin si “njeri të fjalës, punës dhe përkushtimit”, duke theksuar se LDK “nuk i braktis njerëzit e saj në një moment të vështirë, por i trajton me dinjitet edhe fitoren edhe humbjen”.

“Prandaj, e kam rikonfirmuar Xhafer Gashin në pozitat e tij brenda LDK-së, si në Degë të Obiliqit, ashtue dhe në Kryesi e Këshill të Përgjithshëm. Sepse LDK nuk i braktis njerëzit e saj në një moment të vështirë; përkundrazi, LDK di të trajtojë edhe fitoren edhe humbjen me plot dinjitet”, ka shkruar tutje Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku ka konfirmuar se Gashi do të vazhdojë detyrat e tij në Degën e Obiliqit dhe në strukturat qendrore të partisë, si pjesë e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Të fundit nga rubrika