Prokuroria Themelore në Pejë, me vetiniciativë dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar sot një aksion në 20 lokacione në Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan, lidhur me sigurinë e punëtorëve në punimet e banesave kolektive.
Aksioni u udhëhoq nga kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, me mbështetjen e nëntë prokurorëve dhe 60 zyrtarëve policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, nën asistencën e Inspektoratit të Punës.
Të gjitha kontrollet zbuluan parregullsi që rrezikonin sigurinë e punëtorëve dhe qytetarëve.
Si pasojë e këtij aksioni, shtatë vende pune janë mbyllur: dy në Pejë, tri në Istog, një në Klinë dhe një në Deçan. Personat përgjegjës të kompanive kontraktuese janë shoqëruar në stacionet policore.
Në rastet ku u evidentuan elemente të veprave penale, janë inicuar procedura për shkelje të nenit mbi “Asgjësimin, dëmtimin ose heqjen e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimin e sigurisë në vendin e punës” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka njoftuar edhe institucionet relevante për ndërmarrjen e veprimeve ligjore dhe përpilimin e raporteve për lejet e objekteve dhe punimet e kryera, për t’i deponuar më pas në Prokurorinë Themelore të Pejës.
Gjatë gjashtëmujorit janar-qershor 2025, në Prokurorinë Themelore të Pejës janë regjistruar 19 raste për këtë vepër penale, ku tre punëtorë kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda në vendin e punës.