Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hënën në orët e mëngjesit janë arrestuar dy persona, të identifikuar me inicialet A.G. dhe R.Z., nën dyshimet për vepra të rënda penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe prokurimin publik.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari A.G. po hetohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërkaq, i dyshuari tjetër, R.Z., dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”.
Në kuadër të këtij aksioni, hetuesit policorë kanë realizuar bastisje në disa lokacione në qytetet e Prizrenit dhe Ferizajt. Kontrollet kanë përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni”, si dhe hapësirat e një subjekti privat.
“Hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” si dhe të një subjekti privat.
Urdhër kontrolli është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të tenderimit.
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër korrupsionit”.
