Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) ka dalë me njoftim teksa aksioni i gjerë i policisë kundër krimeve ekonomike, i udhëhequr nga Prokuroria Themelore e Prizrenit po vazhdon në disa komuna të Kosovës.
BKS-ja bën të ditur se rasti i fundit, i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja, në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.
“Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, thuhet në njoftimin e BKS-së.
Tutje, Byroja Kosovare e Sigurimeve thotë se ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.
“Theksojmë se BKS mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”, bëhet e ditur në njoftim.
Byroja Kosovare e Sigurimeve rithekson se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe beson se organet e drejtësisë do ta zbardhin plotësisht këtë rast, duke vepruar në përputhje me ligjin.
Kujtojmë se nga ky aksion, janë arrestuar ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku bashkë me ish-drejtorin e Financave në BKS, Valon Berisha, të cilët dyshohen t’iu kenë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve në vlera mijëra euro.
Prokuroria e Prizrenit me aksion, arrestohet edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku