Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore.
Lajmin e ka konfirmuar vetë ministrja përmes një postimi në profilin e saj në Facebook.
Hajdari ka shkruar se sapo të ketë marrë të plotë dokumentin e aktakuzës nga avokati i saj, do të bëjë deklarata më të detajuara për media
“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne.
Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media.
Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022″, ka shkruar Hajdari në Facebook.