Aktakuzë për ryshfet dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj pesë personave

Prokuroria Themelore në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave të përfshirë në një rast të dyshuar për korrupsion në sistemin e autoshkollave në Kosovë.

Të pandehurit A.B., E.Q., F.S., S.M. dhe V.V. po përballen me akuza për “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, e pandehura A.B., e punësuar si instruktore në një autoshkollë, dyshohet se ka pranuar një shumë prej 200 eurosh nga një kandidate me qëllim që ta ndihmojë të kalojë testin praktik të vozitjes. Për këtë veprim, ajo akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Në anën tjetër, katër të pandehurit tjerë, F.S., E.Q., S.M. dhe V.V., që shërbenin si anëtarë të Komisionit për shqyrtimin e kërkesave për licencim dhe ndryshime të kushteve hapësinore të autoshkollave, dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme përfitime materiale. Ata akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave dhe atë A.B., E.Q., F.S., S.M. dhe V.V., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, e pandehura A.B., në cilësinë e personit zyrtar – instruktore në auto-shkollën “A.B A.F.”, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka pranuar dobinë pasurore nga e dëmtuara në shumën prej 200.00 (dyqind) euro, në mënyrë që kësaj të fundit t’i mundësohet kalimi i testit praktik të vozitjes. Me këto veprime e pandehura A.B., ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ sipas KPRK-së.
Po ashtu, të pandehurit F.S., E.Q., S.M. dhe V.V., që nga data 04.04.2025, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen lidhur me kërkesat për licencim dhe ndryshim të kushteve hapësinore të auto-shkollave, duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe me dijeni të plotë, kanë tejkaluar kompetencat dhe detyrimet e tyre ligjore, me qëllim që të përfitojnë dobi materiale në mënyrë të kundërligjshme.
Me këto veprime, të pandehurit F.S., E.Q., S.M. dhe V.V., kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërkaq, ndaj të pandehurit E.L., prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve, lidhur me veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me arsyetimin se nuk ekziston dyshim i arsyeshëm që i pandehuri ta ketë kryer këtë vepër penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale të korrupsionit, si dhe në ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë në kryerjen e këtyre veprave, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të llogaridhënies institucionale”, thuhet në njoftim.

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika