Aktgjykimi i Kushtetueses konfirmon shkeljet e Vetëvendosjes dhe bllokadën e Kuvendit, thotë Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se vendimi i Kushtetueses konfirmoi qëndrimin e hershëm të LDK-së, se veprimet e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, dhe të Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke sjellë bllokim institucional.

“Siç edhe pritej, për secilin me mendje institucionale, Gjykata Kushtetuese sot vërtetoi qëndrimin e LDK-së – insistimin tonë të hershëm – se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke rezultuar në bllokimin e institucioneve të vendit.

Për 48 herë rresht – rekord i turpshëm dhe i pashembullt në historinë parlamentare – bllokuesit tejkaluan kompetencat, shkelen Kushtetutën dhe penguan konstituimin e institucioneve të vendit.
Gjykata riafirmoi qartë se as Kryesuesi më i moshuar e as partia më e madhe nuk mund të veprojnë jashtë Kushtetutës, e as të shpikin procedura që minojnë demokracinë dhe ligjshmërinë. Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit bëhet vetëm me votim të hapur, deri në tre herë për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30-ditor.
Ky aktgjykim është fitore e madhe, jo vetëm e LDK-së, por e Republikës së Kosovës dhe e çdo qytetari që kërkon institucione funksionale, transparente dhe të ndershme.
Mosrespektimi i këtij vendimi nuk është opsion. Nuk do ta lejojmë asnjë përbuzje të shtetit dhe Republikës. Në këtë vend, mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush”, ka shkruar Abdixhiku.

Të fundit nga rubrika