Aeroportet e Lublinit dhe Rzeszowit në Poloni u rihapën të shtunën, pasi autoritetet njoftuan se kishin përfunduar operacionet e aviacionit ushtarak në hapësirën ajrore të vendit, përfshirë fluturimet e avionëve të NATO-s, të aktivizuara pas sulmeve ruse në Ukrainë.
Komanda Operative e Ushtrisë Polake bëri të ditur se nuk ka pasur asnjë shkelje të hapësirës ajrore polake. Në një postim në platformën X, ajo falënderoi NATO-n dhe Forcën Ajrore Gjermane, “avionët e së cilës ndihmuan në garantimin e sigurisë së qiellit polak sot”.
“Operacionet e aviacionit ushtarak në hapësirën tonë ajrore, të lidhura me sulmet e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, kanë përfunduar. Sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar janë rikthyer në aktivitetet standarde operative,” thuhet në deklaratën e komandës operative, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Ukraina njoftoi të shtunën se Rusia kishte ndërmarrë një sulm masiv ajror gjatë natës ndaj objekteve energjetike ukrainase, përfshirë goditje në termocentrale në pjesën perëndimore të vendit.
Ushtria polake theksoi se operacioni ushtarak kishte natyrë parandaluese dhe kishte për qëllim sigurimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore në zonat pranë rajoneve të kërcënuara.
Të dy aeroportet, të vendosura në juglindje të Polonisë, kishin pezulluar përkohësisht fluturimet si masë paraprake, njoftoi më herët Agjencia Polake e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
Të dy qytetet ndodhen pranë kufirit të Polonisë me Ukrainën, ndërsa Rzeszow konsiderohet qendra kryesore e NATO-s për furnizimin e Ukrainës me armë.
Shërbimi i ndjekjes së fluturimeve FlightRadar24 njoftoi në platformën X se mbyllja e aeroportit lidhej me operacionet e avionëve të NATO-s në zonë. Edhe Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) lëshoi një njoftim për pilotët, duke bërë të ditur se të dy aeroportet ishin të paarritshme për shkak të aktivitetit ushtarak të lidhur me sigurinë shtetërore.
Aeroportet e Rzeszowit dhe Lublinit kishin pezulluar operacionet edhe muajin e kaluar, por autoritetet kishin sqaruar se atëherë operacionet e aviacionit ushtarak ishin rutinë dhe nuk kishte pasur kërcënim për hapësirën ajrore polake.