Albanese paralajmëron masa të ashpra kundër gjuhës së urrejtjes pas sulmit vdekjeprurës në Bondi

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka deklaruar se qeveria e tij do të ashpërsojë masat kundër gjuhës së urrejtjes, pas sulmit të përgjakshëm të së dielës në Bondi, i cili kishte në shënjestër një festival hebre.

Pesëmbëdhjetë persona humbën jetën pasi dy persona të armatosur hapën zjarr gjatë një aktiviteti që shënonte ditën e parë të Hanukës. Duke folur për gazetarët në Canberra, Albanese tha se ligjet e reja do të synojnë “ata që përhapin urrejtje, përçarje dhe radikalizim”.

Sipas tij, ministrit të Punëve të Brendshme do t’i jepen kompetenca të reja për të anuluar ose refuzuar viza për persona që përhapin urrejtje, ndërsa do të krijohet edhe një task-forcë e re për të garantuar që sistemi arsimor “parandalon, trajton dhe i përgjigjet në mënyrë të duhur antisemitizmit”.

Ligjet e reja do të përfshijnë gjithashtu ndëshkime për predikuesit dhe liderët që nxisin dhunën, krijimin e një vepre të re penale federale për “gjuhë të rënduar urrejtjeje”, si dhe përfshirjen e motivit të urrejtjes si rrethanë rënduese në dënimet për kërcënime dhe ngacmime online, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

“Çdo hebre australian ka të drejtën të ndihet i sigurt, i vlerësuar dhe i respektuar për kontributin që jep në kombin tonë,” tha Albanese.

“Terroristët, të frymëzuar nga ISIS-i, synuan të kthenin australianët kundër njëri-tjetrit. Por Australia iu përgjigj këtij akti urrejtjeje me dashuri dhe solidaritet ndaj atyre që janë në zi.”

Kryeministri shtoi se qeveria e tij do të “mbështesë dhe zbatojë plotësisht” rekomandimet e raportit të publikuar në korrik nga e dërguara për antisemitizmin, Jillian Segal, e cila gjithashtu foli në konferencën për media. Ajo tha se vendi ndodhet “në një moment shumë të rëndësishëm, jo vetëm për komunitetin tonë, por edhe për luftën kundër antisemitizmit në mbarë botën”.

Megjithatë, raporti i saj u kritikua nga disa qarqe pas publikimit, për shkak të ndikimit të mundshëm në lirinë e shprehjes. Kritikat lidhen me propozimet për monitorimin e universiteteve dhe institucioneve kulturore, si dhe me mundësinë e ndërprerjes së financimeve nëse ato konsiderohen se nuk kanë vepruar kundër antisemitizmit. U shprehën gjithashtu shqetësime se këto masa mund të përdoren për të heshtur protesta pro-palestineze.

Ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke, tha se qeveria po “ndryshon pragun” e tolerancës.

“Ka pasur individë që kanë shfrytëzuar parimet e lirisë së shprehjes dhe kanë shkuar deri në kufijtë e një gjuhe çnjerëzuese dhe të papranueshme, pa e kaluar formalisht pragun e dhunës,” deklaroi ai.

Ndërkohë, Albanese pranoi akuzat nga komuniteti hebre se qeveria e tij nuk kishte bërë mjaftueshëm për të parandaluar rritjen e antisemitizmit që nga sulmi i 7 tetorit ndaj Izraelit nga Hamasi.

“E pranoj përgjegjësinë time për këtë si kryeministër i Australisë,” tha ai. “Por pranoj gjithashtu përgjegjësinë për të udhëhequr dhe bashkuar kombin, sepse ajo që njerëzit kërkojnë në këtë moment nuk është më shumë përçarje.”

Shija e redaktorit

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

Të fundit nga rubrika