Alidemajt i ulet dënimi në 13 vjet për krime lufte në Izbicë

Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim, e ka dënuar me 13 vjet burgim Muhamet Alidemajn, i akuzuar për krime lufte në masakrën e Izbicës gjatë vitit 1999. Në gjykimin e parë, Alidemaj ishte dënuar me 15 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili.

Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës, e ndodhur në mars të vitit 1999, ku u vranë dhe u masakruan 130 shqiptarë. Nga viktimat, 114 janë identifikuar, ndërsa 12 civilë kishin arritur t’i mbijetojnë ekzekutimit.

Në aktakuzë thuhet se gjatë periudhës 24 mars – 11 qershor 1999, Alidemaj, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte ndarë me dhunë gratë dhe fëmijët, duke i detyruar të largohen në drejtim të Shqipërisë, ndërsa burrat e mbetur ishin ekzekutuar me armë automatike.

Sipas prokurorisë, trupat e viktimave ishin zhvarrosur rreth dy muaj pas masakrës dhe ishin transportuar në lokacione të panjohura. Pas luftës, ato u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, si dhe në fshatrat Suhodoll të Mitrovicës dhe Novolan të Vushtrrisë.

Ndryshe, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore kishte shpallur aktgjykim refuzues për pikën e dytë të aktakuzës, e cila lidhej me zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi prokuroria ishte tërhequr nga kjo pjesë për mungesë provash.

Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm si në gjykimin e parë më 29 prill 2022, ashtu edhe gjatë seancës së rigjykimit më 23 tetor 2025.

Shija e redaktorit

Fëmijët e Suharekës mirëpresin serinë e re të librave të...

A do botoni libra të tjerë për moshën tonë? Kjo është kureshtja me të cilën u shoqërua takimi i nxënësve të Suharekës me Shtëpinë Botuese...

Libraria Dukagjini sjell promovimin e librit “Një Ditë Tjetër” të...

Të hënën, më 2 shkurt, ora 17:00 tek Libraria Dukagjini në Sheshin Nënë Tereza, në Prishtinë, hap dyert për promovimin e librit më të...

Nxënësit në Klinë e mirëpritën promovimin e 26 lektyrave nga...

Disa i kanë pasur në duar, e shumë prej tyre mezi presin t'i lexojnë lektyrat me personazhet e preferuara. ''Unë mendoj se pinokio është përrallë...

Të fundit nga rubrika