Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Përmes një postimi në platformën “Bluesky”, diplomati gjerman theksoi se proceset zgjedhore duhet të jenë të lira nga ndërhyrjet dhe manovrimet politike.
“Më vjen keq për sjelljen penguese të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në refuzimin për të certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë”, ka shkruar ai.
KQZ-ja të martën nuk arriti të sigurojë shumicë votash për certifikimin e Listës Serbe, partia kryesore që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë dhe që gëzon mbështetjen e Beogradit. Nga 11 anëtarë, vetëm dy votuan pro, dy kundër dhe shtatë abstenuan, duke çuar në mosmiratim të rekomandimit.