Presidenti amerikan Donald Trump ka pezulluar programin e lotarisë për vizat e përhershme të SHBA-së, “green card”, pas sulmit me armë në Brown University javën e kaluar, ku humbën jetën dy persona.
Shtetasi portughez i dyshuar, Claudio Neves Valente, 48 vjeç, i cili u gjet i vdekur të enjten, kishte hyrë në SHBA nëpërmjet programit të lotarisë për vizat e diversitetit (DV1) në vitin 2017 dhe ishte pajisur me “green card”, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se ka pezulluar këtë program me urdhër të Trump për të “siguruar që asnjë amerikan tjetër të mos dëmtohet nga ky program katastrofik”.
Autoritetet amerikane besojnë se Valente gjithashtu vrau këtë javë profesorin portugez Nuno Loureiro në Massachusetts Institute of Technology.
Programi i lotarisë jep deri në 50,000 viza çdo vit përmes një procesi të përzgjedhjes së rastësishme për shtetas nga vende me norma të ulëta emigrimi në SHBA.
Noem theksoi se Trump kishte tentuar më parë të ndalonte këtë program në vitin 2017, pas një sulmi me kamion në New York ku u vranë tetë persona.
Valente u gjet i vdekur në një magazinë në Salem, New Hampshire, nga një plagë e vetë-shkaktuar me armë, sipas policisë.
Një kërkim gjashtë-ditor në disa shtete çoi hetuesit tek një vend qendër rentimi makinash, ku u gjet emri i tij dhe u konfirmua identiteti.
Ai u gjet i pajisur me një çantë dhe dy armë zjarri, ndërsa prova të tjera në një makinë afër përputheshin me skenën e të shtënave në Brown University, sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Rhode Island, Peter Neronha.