Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se shërbimi i njohur ndërkombëtar i pagesave Apple Pay është bërë zyrtarisht i disponueshëm edhe në Kosovë, raporton portali Momenti.
Sipas njoftimit të BQK-së, tashmë bankat dhe institucionet financiare në vend do të kenë mundësinë t’i lidhin kartelat e tyre me platformën Apple Pay, duke iu mundësuar qytetarëve dhe bizneseve që të kryejnë pagesa të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt, përmes pajisjeve Apple si iPhone, Apple Watch apo të tjera.
Megjithatë, funksionalizimi i plotë i këtij shërbimi në të gjitha bankat kërkon kohën e nevojshme për shkak të marrëveshjeve individuale dhe integrimeve teknike.
Ky zhvillim konsiderohet si një hap i madh drejt modernizimit të sistemit të pagesave në Kosovë, rritjes së përfshirjes financiare dhe përshpejtimit të digjitalizimit. Pas integrimit të Google Pay, tani edhe Apple Pay shihet si plotësim i domosdoshëm në qasjen drejt ndërkombëtarizimit të shërbimeve financiare dhe përmbushjes së standardeve evropiane për pagesa digjitale, shkruan Momenti.
“Në vazhdën e angazhimeve, si dhe takimit të fundit të mbajtur në maj 2025 me përfaqësues të lartë të kompanisë Apple, BQK theksoi përkushtimin e saj për të siguruar kushte të favorshme për adoptimin e shërbimeve më moderne financiare në Kosovë, në kuadër të aktiviteteve të Planit Strategjik 2024–2028. Ky sukses është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes BQK-së, sektorit bankar dhe partnerëve ndërkombëtarë, me theks Ambasadën e SHBA-së”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Sipas burimeve të Momentit, ky është një nga projektet më të rëndësishme të vitit në fushën e inovacionit financiar, që pritet të lehtësojë jetën e qytetarëve dhe të sjellë Kosovën më afër praktikave moderne ndërkombëtare.