Raportimet e gazetës së njohur zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) për bisedime joformale mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në qytetin Soloturn të Zvicrës kanë hapur debat të gjerë në vend.
Në këtë kontekst, ish-kryenegociatori i dialogut Kosovë–Serbi, Avni Arifi, ka shprehur shqetësime serioze për pjesëmarrjen e vendimmarrësve në procese joformale dhe me profil të ulët.
Duke folur në FIVE në TV Dukagjini, Arifi theksoi se takimet joformale nuk janë problem në vetvete kur në to marrin pjesë deputetë, zyrtarë partiakë apo përfaqësues të shoqërisë civile.
Megjithatë, sipas tij, situata ndryshon rrënjësisht kur në këto tryeza përfshihen vendimmarrësit kryesorë të shtetit.
“Kur shkojnë vendimmarrësit në takime të tilla, atëherë është problematike. Atëherë është tjetër temë. Këtu u fol për persona që janë vendimmarrës. Politikanët e Kosovës kurrë s’duhet me u tutë pr qëndrimet e tyre, kudo që i thonë ndash në Beograd, ndash në Londër. Dhe kushdo që i fton duhet me shku. Është bërë absurd dhe këtu është hipokrizi me u tutë njerëzit me shku me u taku më dikë tjetër sepse po njollosem se po takohem me dikë tjetër. Ti je ai që je, i mban qëndrimet tua dhe je krenar për atë që je. Tash natyra e projektet është e tillë që ata done me mbajt ‘lowprofile’. Nuk bëhet pazare me vendin, po flas për takimin e deputetëve, takimin e zyrtarëve të partisë. Kurse kur janë vendimmarrësit, në këto takime të fshehta kanë ndodhur atëherë duhet me lyp llogari se për cka janë marrë vesh…”, ka thënë Arifi.
Duke u ndalur në përvojën e tij personale si kryenegociator, Arifi tregoi se kishte refuzuar ftesa për takime të tilla joformale gjatë kohës sa udhëhiqte dialogun
Në nivel të shefave të bisedimeve mund të jetë në një hap më tutje. Kur unë i kam udhëhequr bisedimet. Kam pasur oferta që të shkoj në takime ë tilla, kam refuzuar. Sepse kam konsideruar si vendimmarrës është tepër me rëndësi mos me shku në takime që kanë për qëllim socializmin apo relaksimin e raporteve. Nuk teme personale. Janë në pyetje raportet ndërshtetërore. Dhe kame konsideruar të gabuar nëse shkoj dhe kam refuzuar të shkoj”, ka thënë Arifi.
Deklaratat e tij vijnë pas raportimeve të NZZ-së për bisedime të organizuara nga Zvicra, ku sipas gazetës kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Serbia, përfshirë edhe ministrat.
Ndërkohë, Zyra e Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ka mohuar kategorikisht se ai ka pasur takime të fshehta me kryediplomatin serb Marko Gjuriq, duke sqaruar se pjesëmarrja e Bislimit ka qenë vetëm në takime të hapura, ku Gjuriqi nuk ka qenë prezent.