Një 50-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet greke, në bashkëpunim me sektorin antidrogë të Florinës, pasi u kap me 21.5 kilogramë heroinë, të ndarë në 43 pako plastike.
Sipas mediave greke, operacioni u zhvillua më 19 shtator, pas informacioneve për një rrugë të fshehtë që përdorej për transportimin e drogës përmes maleve të Florinës, në kufirin e gjelbër juglindor me Shqipërinë.
Policia greke e ndali 50-vjeçarin pasditen e së enjtes, teksa ky po transportonte një çantë shpine ku gjendej sasia e madhe e heroinës.
Autoritetet bënë të ditur se vlera e lëndës narkotike në treg arrin nga 15 deri në 30 euro për gram, duke e çuar vlerën totale të heroinës së sekuestruar në mbi 600 mijë euro. Kjo konsiderohet si sasia më e madhe e heroinës e kapur ndonjëherë nga Zyra për Luftën kundër Drogës në Xanthi.