Policia e Kosovë ka arrestuar një të dyshuari lidhur me dhunimin e një të mituri në komunën e Ferizajt.
Siç bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë, i dyshuari u arrestua të martën, njofton Dukagjini.
“Më 16.12.2025 pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.
Kujtojmë se të hënën, policia bëri të ditur se në stacionin policor në Fushë Kosovë kishin pranuar informacioni lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit të një të mituri.
Sipas dyshimeve, i mituri ishte kontaktuar përmes rrjeteve sociale nga një person dhe dyshohet se është dhunuar nga ai në Ferizaj.
“Më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri. Dyshimet e ngritura sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt”.
“Specialistë të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij”, ka njoftuar Policia e Kosovës.