Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për posedim të paautorizuar të armëve, e pas arrestimit ka rezultuar se i dyshuari ishte i kërkuar me urdhër gjyqësor për tentim vrasje.
Siç bëhet e ditur në njoftimin policor, rasti ka nisur kur një patrullë policore në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Prelez i Jerlive, duke iu përgjigjur një informate për një mosmarrëveshje, ka vërejtur një person të dyshuar i cili ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.
“Pavarësisht urdhrave verbal për ndalim, i dyshuari ka vazhduar ikjen në këmbë në drejtim të fushave. Pas një ndjekjeje rreth 2 kilometra, zyrtarët policorë kanë arritur ta ndalojnë dhe ta arrestojnë atë. Gjatë kontrollit trupor, te i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar një thikë me këllëf dhe një shufër metalike. Personi i dyshuar, A.I, 27 vjeç, është shoqëruar në stacion policor”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje, bëhet e ditur se nga verifikimi i dokumentacionit, ka rezultuar se ndaj tij kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Ferizaj, si person i kërkuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, për të cilën ishte dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim.