Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë njoftuar se kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal dhe se ka nisur shpërndarja e tyre në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Sipas njoftimit, vaksinimi do të fillojë pas përfundimit të shpërndarjes së dozave në QKMF dhe njësitë përkatëse teksa qytetarët mund të kontaktojnë institucionin më të afërt të kujdesit parësor shëndetësor në komunën e tyre për të marrë informacione më të hollësishme rreth datës së fillimit të vaksinimit.
Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit veçanërisht për personat që bëjnë pjesë në grupet me rrezik të lartë.
Në mesin e kategorive që rekomandohet të vaksinohen me prioritet janë personat mbi 65 vjeç, ata që vuajnë nga sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët me sëmundje kronike, personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë, si dhe profesionistët shëndetësorë.
Vaksinimi rekomandohet edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të mbrohen nga gripi sezonal.