Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin dhjetor 2025, sipas të cilave vërehen ndryshime të dukshme në numrin e përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me dhjetorin e vitit 2024.
Nga 36 mijë e 990 veteranë në listën e përfituesve në dhjetorin e vitit 2024 në dhjetorin e vitit 2025 në listë ishin 37 mijë e 975.
Ndërsa, rënia më e madhe është regjistruar te skema e pensioneve invalidore të punës, me -27,5 për qind.
Pasojnë skema për pensionet e Trepçës me -20,6 për qind, pensionet familjare me -10,6 për qind, skema e ndihmës sociale me -10,3 për qind, pensionet kontribut-paguese të moshës me -2,0 për qind, si dhe skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës me -1,4 për qind.
Ndërkohë, në disa skema të tjera është shënuar rritje e numrit të përfituesve krahasuar me një vit më parë.

Rritjen më të madhe e ka pasur skema për pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike me 12,6 për qind, e ndjekur nga pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës me 8,6 për qind, përkrahja financiare për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara me 8,0 për qind, si dhe pensionet bazike të moshës me 7,5 për qind.
Po ashtu, rritje është shënuar edhe te skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që kanë punuar gjatë viteve shkollore 1990/91 deri në 1998/99 me 5,1 për qind, pensionet për personat me aftësi të kufizuara me 4,5 për qind, pensionet për veteranët e luftës me 2,7 për qind, kompensimet për personat e verbër me 1,2 për qind, si dhe pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) me 0,8 për qind.