Australia ndalon që këngët e krijuara tërësisht nga AI të përfshihen në toplista

Sideni, Australia.

Industria muzikore australiane ka vendosur t’i ndalojë këngët e krijuara tërësisht nga inteligjenca artificiale (AI) që të përfshihen në klasifikimet apo toplistat zyrtare të muzikës,

Vendimi i ARIA-s, organizata që përfaqëson industrinë e incizimeve muzikore në Australi, vjen në një kohë kur përdorimi i AI në muzikë po rritet dhe po shkakton shqetësime për të ardhmen e artistëve.

Debati u përforcua pasi një version i këngës “Like a Prayer” i këngëtares së mirënjohur Madonna, i krijuar nga një producent australian me vokale dhe bateri të gjeneruara nga AI, qëndroi për 16 javë në Top 20 të Australisë. Kënga arriti deri në vendin e dytë në maj dhe aktualisht është në vendin e katërt, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.         

Nga java e ardhshme, këngët e krijuara qind për qind nga AI nuk do të lejohen në toplistat ARIA, ndërsa muzika ku AI përdoret vetëm si ndihmë do të vazhdojë të jetë e pranueshme.

Për t’u përfshirë në toplista, kënga duhet t’i plotësojë disa kushte, ndër to që njerëzit të kenë shkruar këngën, vokali kryesor të jetë interpretuar nga një person, instrumentet kryesore të jenë luajtur nga njerëz, si dhe AI të jetë përdorur përmes shërbimeve ligjore.

Këngët e krijuara tërësisht nga AI nuk do të kenë të drejtë as të konkurrojnë për çmimet ARIA, një nga vlerësimet më të rëndësishme të muzikës australiane.

“Këto ndryshime tregojnë se duam të ecim me kohën dhe të promovojmë natyrën njerëzore të krijimtarisë artistike, në një fushë që po zhvillohet me shpejtësi”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e ARIA-s, Annabelle Herd.

Ajo ka shtuar se lejimi i muzikës së krijuar nga AI, pa licencë, do të dëmtonte vetë bazën e industrisë që ARIA përfaqëson.

Edhe kompozitorja Alexis Weaver e mbështeti vendimin, duke e cilësuar si “një hap të mrekullueshëm përpara” që tregon se krijimtaria njerëzore duhet të ketë përparësi.

“Mund të jetë shumë e vështirë t’i shmangesh mjeteve të AI në realitetin e sotëm. Ka mënyra për ta përdorur atë, për sa kohë që ti vazhdon ta drejtosh procesin dhe t’i marrësh vendimet kryesore krijuese”, ka thënë ajo.

Vendimi i Australisë është në përputhje me udhëzimet e reja ndërkombëtare të industrisë muzikore, sipas të cilave një këngë duhet të jetë “në thelb e krijuar nga njerëzit” për t’u përfshirë në toplista zyrtare.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika