Një grua shtatzënë, e sulmuar në Dizhon më 1472, është në qendër të librit të historianes Sara McDougall, ”Drejtësi për Jehanne-n”.
Mbështetur në dokumente gjyqësore, libri sjell historinë e përpjekjes së saj për drejtësi dhe vë në diskutim perceptimin se gratë që përjetonin dhunë seksuale në Mesjetë përjashtoheshin domosdoshmërisht nga shoqëria.
Jehanne, me prejardhje nga Lorena, ishte rreth 32 vjeçe dhe në muajt e fundit të shtatzënisë kur u sulmua natën e 3 janarit 1472. Sipas dëshmisë së saj, një grup burrash, mes tyre mercenarë të dukës së Burgundisë, e nxorën me forcë nga banesa ku strehohej dhe e dërguan në një fushë aty pranë.
Ajo rrëfeu se burrat tentuan ta dhunonin seksualisht dhe e rrahën, duke e lënë të frikësuar për jetën e fëmijës së palindur. Dy ditë pas sulmit, Jehanne lindi një vajzë.
Ngjarja ndodhi në një periudhë tensionesh mes dukës së Burgundisë, Sharlit të Guximshëm, dhe mbretit francez Luigji XI. Mercenarët e vendosur për mbrojtjen e Dizhonit akuzoheshin edhe për keqtrajtime, rrëmbime dhe zhvatje ndaj banorëve.
Autoritetet bashkiake reaguan shpejt ndaj sulmit. Hetuesi Jaques Borestel e intervistoi Jehannen një ditë pas ngjarjes dhe, duke u mbështetur në dëshminë e saj, identifikoi e arrestoi shumicën e të dyshuarve.
Burrat fillimisht i mohuan akuzat. Jehanne u përball me ta dhe përsëriti dëshminë e saj. Më pas, autoritetet përdorën torturën ndaj njërit prej të arrestuarve dhe të dyshuarit përfundimisht pranuan fajësinë. Zyrtarët e qytetit kërkuan dënimin e tyre me vdekje, por çështja u pengua nga ndërhyrja e autoriteteve dukale.
Gjatë procesit u hetua edhe jeta personale e Jehannes. Ajo kishte deklaruar se ishte e martuar, por më vonë pranoi se bashkëshorti ishte larguar prej vitesh dhe se kishte lindur dy fëmijë nga një marrëdhënie me një prift.
Megjithatë, këto zbulime nuk i shtynë autoritetet bashkiake ta braktisnin çështjen. Sipas McDougall, ky është një nga elementet më domethënëse të dokumenteve: jeta intime e Jehannes nuk u konsiderua arsye e mjaftueshme për t’ia mohuar kërkesën për drejtësi. Edhe fqinjët dhe të njohurit e ndihmuan të gjente strehim pasi u kërcënua nga mbrojtësit e mercenarëve.
Pavarësisht përpjekjeve të bashkisë, të arrestuarit u liruan pas rreth dy muajsh. Autoritetet dukale pretenduan se ata ishin pjesëtarë të klerit dhe, për rrjedhojë, duhej t’i nënshtroheshin juridiksionit kishtar.
Për rindërtimin e historisë, McDougall shqyrtoi rreth 70 faqe dokumentesh të ruajtura në arkivin bashkiak të Dizhonit. Gjetjet e saj kundërshtojnë interpretimin e mëparshëm se gruaja kishte hezituar të fliste nga turpi dhe se përfundimi në prostitucion ishte pasojë e parashikueshme e sulmit.
Fati i mëvonshëm i Jehannes mbetet i panjohur. Historiania thekson se dokumentet nuk lejojnë të përcaktohet me siguri çfarë ndodhi me të pas procesit.
Rasti, sipas McDougall, tregon se përvoja e grave në Mesjetë ishte më e ndërlikuar sesa sugjerojnë përgjithësimet. Jehanne nuk arriti t’i shihte sulmuesit të ndëshkoheshin, por dëshmia e saj u mor seriozisht dhe ajo gjeti mbështetje në komunitet gjatë përpjekjes për drejtësi.