Kombëtarja e Kosovës ka triumfuar ndaj Sllovenisë me rezultat 2-0, duke shënuar një fitore vendimtare dhe historike në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Me këtë rezultat, Kosova arrin pikën e dhjetë në Grupin B dhe siguron vendin e dytë, duke garantuar një biletë për Play-Off-in.
Supergolin për “Dardanët” e shënoi nga Fisnik Asllani dhe autogoli i Žan Karničnik, ndërsa mbrojtja dhe portieri i Kosovës, Amir Shaipi ruajtën portën të paprekur.
22:20 – Dy zëvendësime për Kosovën në pjesën e dytë
Gjatë pjesës së dytë të ndeshjes Slloveni–Kosovë, trajneri i Kosovës ka bërë dy ndryshime në formacion.
Mërgim Vojvoda largohet nga fusha, në vend të tij inkuadrohet Ermal Krasniqi.
Fisnik Asllani largohet, ndërsa në lojë futet Albion Rrahmani.
22:06 – Autogol, Kosova rrit avantazhin ndaj Sllovenisë
Një autogol i shënuar nga lojtari i Sllovenisë rrit avantazhin e “Dardanëve”.
Autogoli u shënua nga Žan Karničnik në minutën e 64-të.

21:56 – Karton i kuq, Sllovenia me një lojtar më pak
Mbrojtësi slloven Petar Stojanoviq është përjashtuar nga ndeshja ndaj Kosovës pas dy kartonëve të verdhë brenda pak minutash.
Kartoni i parë erdhi në minutën e 47-të për një shtyrje ndaj Dion Gallapenit, ndërsa kartoni i dytë u ndëshkua në minutën e 53-të për një goditje në fytyrë të mbrojtësit të majtë të Kosovës.
Gjyqtari francez Clement Turpin vendosi ta përjashtojë Stojanoviç nga loja, duke lënë Slloveninë me një lojtar më pak dhe duke përfituar Kosovën nga kjo situatë.
21:50 – Nis pjesa e dytë – Kosova në epërsi ndaj Sllovenisë
Pas pushimit, “Dardanët” rikthehen në fushë për pjesën e dytë të ndeshjes vendimtare për kualifikimet e Botërorit 2026.
Kosova mban avantazhin 1-0, me golin e Fisnik Asllanit në pjesën e parë.
21:42 – Kosova në rrugë drejt Play-Off-it, por mund të luftojë edhe për kualifikim direkt
Me fitore apo edhe me barazim ndaj Sllovenisë, Kosova siguron vendin e dytë në Grupin B, që i jep të drejtën për të luajtur në Play-Off për Kupën e Botës 2026.
Rezultatet e ndeshjes tjetër, Zvicra–Suedia, do të përcaktojnë nëse “Dardanët” mund të synojnë edhe kualifikimin direkt.
Aktualisht, Zvicra po barazon 1:1 me Suedinë dhe ka një pikë më shumë se Kosova (11 kundrejt 10).
Ndeshja vendimtare mes Kosovës dhe Zvicrës do të zhvillohet më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
21:32 – Mbyllet Pjesa e Parë: Kosova në avantazh

Pjesa e parë e ndeshjes Kosovë – Slloveni është mbyllur me rezultat 1-0 në favor të “Dardanëve”.
Golin e vetëm e shënoi Fisnik Asllani.
Kosova ka dominuar ndeshjen deri më tani, duke krijuar disa raste të tjera, ndërsa Sllovenia nuk ka arritur të reagojë me kundërsulme.
21:05 – Kosova po e dominon ndeshjen si mysafire
20’ – Asllani mori topin në zonën e sulmit dhe gjuajti fort, por goditja u bllokua nga mbrojtja.
Në topin e kthyer, Muslija mori pasimin dhe gjuajti fuqishëm nga skaji i zonës, por e dërgoi topin mbi portë.
20:48 – GOOOOL – Fisnik Asllani i jep epërsinë Kosovës ndaj Sllovenisë

Në minutën e 6-të të ndeshjes, Fisnik Asllani ka shënuar golin e epërsisë ndaj Sllovenisë, duke ndezur entuziazmin e “Dardanëve” në tribuna dhe para ekraneve.
Asllani u gjend në momentin e duhur brenda zonës dhe finalizoi me një supergol, duke e kaluar Kosovën në avantazh të hershëm në këtë sfidë vendimtare të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Kosova 1 – 0 Sllovenia (minuta 6).

20:45 – Nis ndeshja Kosovë – Slloveni
Ka nisur dueli vendimtar mes Sllovenisë dhe Kosovës në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
“Dardanët” po luajnë me sistemin 5-3-2 të përzgjedhur nga Franco Foda, ndërsa sulmit i prijnë Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani.
Ndeshja është jetike për Kosovën, e cila me një rezultat pozitiv siguron “Play-Off”-in.
Mbrojtësi Albian Hajdari dhe mesfushori Leon Avdullahu rrezikojnë të mungojnë në ndeshjen vendimtare ndaj Zvicrës, nëse ndëshkohen me karton të verdhë sonte në përballjen me Slloveninë.