Një avion i vogël që po transportonte 11 parashutistë dhe pilotin është rrëzuar në shtetin amerikan të Missouri-t, duke shkaktuar vdekjen e të 12 personave në bord, kanë njoftuar autoritetet.
Sipas Zyrës së Menaxhimit Emergjent në qarkun Bates, avioni u ngrit rreth orës 11:20 të mëngjesit të së dielës, nga aeroporti lokal Butler Memorial. Pak pas ngritjes, ai nuk arriti të fitojë lartësi, bëri një kthesë të fortë majtas dhe u rrëzua rreth 200 metra larg pistës.
Sherifi i qarkut Bates, Chad Anderson, e ka cilësuar ngjarjen si një “incident me viktima masive”, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për një avion komercial, por për një avion lokal të përdorur nga një kompani parashutizmi.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni ishte i tipit Pacific Aerospace P750 dhe po largohej nga aeroporti kur ndodhi aksidenti. FAA shtoi se në atë moment nuk kishte shërbim të kontrollit ajror, pasi avioni nuk ishte i detyruar të ishte në komunikim për shkak të hapësirës ajrore ku po operonte.
Autoritetet lokale raportuan se ekipet e emergjencës kanë kontrolluar zonën për të parë nëse ndonjë nga parashutistët kishte arritur të hidhej nga avioni para përplasjes, por deri tani nuk ka të dhëna të tilla.
Disa familjarë të viktimave kanë qenë dëshmitarë të incidentit, sipas sherifit.
Identiteti i viktimave ende nuk është bërë publik.
Qyteti Butler ndodhet rreth 80 kilometra në jug të zonës metropolitane të Kansas City-t.
Hetimin për shkaqet e aksidentit po e udhëheq Bordi Kombëtar i Sigurisë në Transport (NTSB).