Pierre Richard Prosper, avokati i ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit në Hagë, ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si po funksionon sistemi gjyqësor ndërkombëtar.
AI ka thënë ka parë prova të dobëta mbi të cilat Prokuroria mbështetet për të dënuar të akuzuarit.
“Nuk mendoj se ky është standardi që duhet të merret shembull nga gjykatat vendore apo ndërkombëtare. Nuk mund të jemi në një situatë ku Prokuroria mbështetet në deklarata dhe raportime shtypi, libra, madje pa prezantuar as autorin e librit”, tha Prosper në emisionin Ingo Magazine në Klan Kosova.
Avokati shtoi se Prokuroria përdor edhe draftet e librave si prova, duke e cilësuar këtë “shokuese”.
Ai theksoi se një proces gjyqësor duhet të lejojë viktimat të tregojnë çfarë ka ndodhur, ndërsa pala tjetër duhet të ketë mundësinë ta ekzaminojë këtë dëshmi.
“Të mbështetesh në citime të BBC-së, CNN-së apo AP-së si prova dhe e vërtetë, është shokuese”, u shpreh ai.
Megjithatë, Prosper nuk deshi të komentojë nëse Gjykata në Hagë është politike, duke thënë se procesi duhet të lëshohet të përfundojë nga gjyqtarët e kualifikuar.
“Ata janë gjyqtarë me përvojë dhe intelektualë, duhet të kemi besim se kanë parë të vërtetën. Kur të japin vendimin, atëherë mund të jap mendimin tim mbi natyrën dhe cilësinë e tij”, shtoi avokati.
Prosper shprehu shpresën se në fund do të dalë e vërteta dhe se ajo duhet të çojë në lirimin e personave të pafajshëm.