Avokati i Popullit nis hetimet për vdekjen e 4-vjeçares në Gjakovë

Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për vdekjen e 4-vjeçares në Gjakovë

Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për vdekjen e 4-vjeçares në Gjakovë.

Kështu është bërë e ditur nga faqja zyrtare e Avokatit të Popullit përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Sipas njoftimi, ky institucion ka përcjellë me shqetësim lajmin nga mediat lidhur me humbjen e jetës së fëmijës nga Gjakova.

Në njoftim thuhet se ” e drejta në jetë është një e drejtë universale për të gjitha qeniet njerëzore, dhe si e tillë, mbrohet me Kushtetutë dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Të drejtat e tjera të njeriut ekzistojnë vetëm kur ekziston e drejta për jetën”.

Avokati i Popullit u ka bërë thirrje institucioneve të ndërmarrin sa më parë veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

“Avokati i Popullit, në pajtim me rolin kushtetues dhe kompetencat e përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do t’i zhvillojë hetimet lidhur me rastin dhe do tё monitorojë atë nga afër dhe nё vazhdimësi nё mënyrë qё tё sigurojë se tё gjitha institucionet pёrgjegjёse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, një 4-vjeçare ka vdekur në QKUK, ku ishte dërguar nga Spitali Rajonal i Gjakovës, pasi ishte përcjellë në gjendje të rëndë shëndetësore. Familjes, mjekët në Gjakovë i kishin thënë se ajo kishte lëndime në trup, që dyshohet se i kishte marrë nga rrahja prej një të mituri, por pas vdekjes së saj në QKUK, shkak i vdekjes i ishte përmendur një tjetër gjë.

Familjarët kanë treguar versionin e tyre për vdekjen e 4-vjecares.

Ditë më parë, Arjana Hajra nga Gjakova, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllait të saj, me ç’rast të bijën e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijë.

Por të njëjtën, më pas e kishte gjetur të shtrirë në tokë.

Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.

“E mora qikën, filloi me kajt. I thashë çka ki, më tha ma ka hi jakupi me dërrasë qitu dhe djali i Sabijes më ka rreh krejt. As ajo s’më kallxoj bash mirë. Tu ardh nuk mujke me ec, ‘oj mam zemra po më dhemb’, e mora në shpi e tash si me fjalë mo, e mora ajo veç kajke”, ka thënë Hajra.

Gjersa thotë se e ndjera nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë, e njëjta kishte pasur mavijosje në fundshpinë e ënjtje në gjoks.

Pasi e kishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, mjekët, familjes i ishte thënë se e njëjta kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks.

Pas përkeqësimit të gjendjes, katërvjeçarja ishte dërguar për trajtim në QKUK.

Por, nëna e saj pretendon se asaj iu dha një shkak tjetër, që për fat të keq, rezultoi me vdekjen e saj.

“Në gjysmë nate më ka thirrur doktorica me hy në sallë, ku ka qenë qika. Kom hy, kom nejt me qik dhe erdh doktorica po ma bën, oj zojë nuk e ka prej të rrehnit, ka infeksion të madh. I ka shpërthyer gjakderdhja prej infeksionit të madh”, ka shtuar ajo.

Shkakun e vdekjes nga një infeksion e përmend edhe drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, por ai nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse 4-vjeçarja kishte shenja të dhunës në trup.

Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë nuk kanë thënë më shumë për rastin sesa që thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjersa nuk kanë dhënë përgjigje për intervistimin e të dyshuarve për rrahjen e të miturës.

Njësoj kanë vepruar edhe nga Prokuroria.

“Ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policinë janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, ka thënë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Nëna e të ndjerës ka thënë që vëllai i saj ka mohuar që i biri ka rrahur të ndjerën, gjersa i njëjti, siç ka thënë familja, është intervistuar nga Policia e Kosovës.

Dritë mbi rastin që është cilësuar si “hetim i vdekjes”, pritet të hedhë raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku është dërguar trupi i së ndjerës për obduksion.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika