Në letrën që zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi e publikoi të martën, BE-ja njoftoi për “heqjen e mëtejme të disa prej masave”, e jo e “shumicës së masave” siç shkroi ai.
Letra dhe tabela e bashkëngjitur përmend vetëm katër projekte kyçe të liruara, në vlerë të përgjithshme 34.6 milionë euro.
Edhe pse tha se nuk bëhet fjalë për projektet më të mëdha dhe shtoi se shumica e masave mbesin në fuqi, drejtori në “PolCon” Fitim Mulolli, e vlerësoi lajm të mirë njoftimin e BE-së.
“Vlera e dëmit vetëm në vitin 2024 ka qenë afër 600 milionë euro që kanë qenë mungesë tek ne. Vetëm te disa projekte konkrete të cilat janë numëru kanë qenë 290 milionë, të sakta. Për shembull, unë e di vetëm në Komunën e Prishtinës kanë qenë rreth 51 milionë euro të bllokuara si pasojë e masave ndaj Qeverisë së Kosovës. Sido që të jetë është një hap i mirë”, ka deklaruar Fitim Mulolli, Drejtor në PolCon.
Projekti më i madh i zhbllokuar është ai në vlerë 17.6 milionë euro për dyfishimin e kapacitetit të ngrohjes në Prishtinë.
Duke e mirëpritur krijimin e kushteve për vazhdimin e projektit që mundëson kyçjen e rreth 20 mijë apartamenteve në rrjet, ish-drejtori i Termokosit, Fisnik Osmani, tregoi ndikim e masave.
“Unë konsideroj që të gjitha këto vonesa do të ketë impakt dy vjeçar… Sikur të mos kishte qenë pengesa e masave të BE-së, jam i bindur që sot do të kishim ndoshta kontratën e nënshkruar apo edhe fillimin e disa punimeve qoftë në pjesën që lidhë termocentralin Kosova B me Termokosin qoftë prej Termokosit në pjesën e shtrirjes në qytet. Por, si do që të jetë, është lajm i mirë”, ka dekalruar Fisnik Osmani, Ish-kryeshef i Termokosit.
Në Maj të këtij viti, Bashkimi Evropian njoftoi se ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ish-Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell i kishte quajtur sanksione.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në Qershor të vitit 2023.