Dy persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike dhe mbajtje të armëve pa leje, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës më 2 prill 2026.
Sipas njoftimit, policia, në bashkëpunim me prokurorin kompetent dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, ka kryer kontroll në një shtëpi ku dyshohej se funksiononte një laborator për kultivimin e kanabisit.
Në vendngjarje fillimisht është arrestuar një i dyshuar, ndërsa gjatë bastisjes së tri lokacioneve të tjera në Prizren është arrestuar edhe i dyshuari i dytë.
Gjatë operacionit policor janë sekuestruar pajisje të ndryshme për kultivimin e bimëve narkotike, përfshirë llampa ndriçimi, pajisje për ngrohje dhe ventilim, matës të temperaturës dhe lagështisë, si dhe preparate kimike.
Po ashtu, janë gjetur dhe konfiskuar: një bimë kanabis sativa rreth 30 cm, marihuanë me peshë 1.19 gramë, gjethe kanabisi me peshë 53.84 gramë, dy qese me substancë të dyshuar kokainë me peshë 0.41 gramë, një armë zjarri (pistoletë) e çmontuar me dy fishekë, 27 fishekë të tjerë, një veturë dhe një furgon me targa vendore.
Sipas policisë, të dyshuarit dyshohet se kanë shkatërruar rreth 300 bimë kanabis të kultivuara në laborator, të cilat besohet se janë djegur.
Pas bastisjeve dhe intervistimit në prani të avokatëve, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

